Një nga urdhrat e parë që ka firmosur drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Skënder Hita, për riorganizimin e punës së uniformave blu, ka qenë heqja e shërbimeve të dukshme të policisë rrugore nga akset nacionale dhe jo vetëm.
Në telegramin dërguar të gjitha drejtorive vendore të policisë, Hita e motivon urdhrin duke nënvizuar se drejtuesit e mjeteve kanë shprehur shqetësime mbi ndalimet rutinë të kryera pa një bazë të qartë ligjore apo vonesat e panevojshme që këto veprime shkaktojnë gjatë udhëtimit.
Kryepolici Hita ka kërkuar që prej 10 prillit të ndërpritet menjëherë praktika e ndalimit të automjeteve nga rrugorët me motivacionin “për verifikim”.
Sipas telegramit shërbimet e policisë udhëzohen që shkeljet e qarkullimit rrugor të konstatohen përmes pajisjeve teknologjike si radarët për shpejtësinë, në opsionin automatik dhe dronët.
Ndërkohë lidhur me rastet kur për shkak të situatës, kërkohet konstatimi i shkeljeve në prezencë të drejtuesve të mjeteve, telegrami udhëzon që të hartohet një plan i qartë masash për pikat e kontrollit dhe në krye të tyre të jenë shefat e sektorëve apo seksioneve të policisë rrugore.



