Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Karakaçi: Porto Romano është i konsultuar me ekspertë ndërkombëtarë

Në seancën plenare të së enjtes, më 16 prill, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, iu përgjigj një interpelance të kërkuar nga deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri.

Në fjalën e tij, Karakaçi u shpreh se ndërtimi i portit të ri nuk është një ide e sapokrijuar, por një projekt me rëndësi strategjike që lidhet me synimet afatgjata të qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai theksoi se për shumë vite porti i Durrësit ka përballuar ngarkesa të mëdha, ndërsa sot është e pamundur që një port me funksione industriale të vijojë të operojë në qendër të qytetit, edhe për shkak të kufizimeve që lidhen me ndotjen dhe mungesën e hapësirës për zgjerim.

Sipas ministrit, projekti i Porto Romanos është hartuar me kujdes nga ekspertë ndërkombëtarë dhe synon të përmbushë nevojat në rritje të ekonomisë në dekadat e ardhshme. Ai shtoi se porti i ri nuk do të shërbejë vetëm për përpunimin e mallrave, por edhe si një qendër logjistike rajonale, me magazina dhe struktura shpërndarjeje ku pritet të operojnë kompani vendase dhe të huaja.

“Për dekada me radhë, porti i Durrësit ka mbajtur mbi supe përgjegjësi. Nuk ka sot asnjë port që të jetë në qendër të qytetit që të kryejë funksione industriale dhe sa i përket edhe të gjitha politikave të ndotjes mjedisore dhe të zgjerimit e zhvillimit të portit. Porti i Durrësit e ka të pamundur të zgjerohet. Projekti i Porto Romanos është i mirëmenduar, nga ekspertë ndërkombëtarë, dhe i aftë të përballojë kërkesat e mëdha të ekonomisë të dekadave të ardhshme”, tha Karakaçi.

Të Fundit