Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka njoftuar këtë të hënë, më 13 prill, se në tre ditët në vijim do të ketë një bllokim të përkohshëm në doganat drejt Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjes.
Kjo për shkak se pritet të zhvillohet një grevë e transportuesve në këto tre vende në datat 14-16 prill.
Si pasojë e grevës, do të bllokohet kalimi i lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë. Megjithatë theksohet se përjashtim do të bëhet vetëm për transportin e mjeteve me kafshë të gjalla apo për raste emergjence, si dhe për lëvizjen e autoveturave.
Sjellim ndërmend se edhe në muajt janar-shkurt, kamionistët në rajon zhvilluan një protestë, duke pezulluar qarkullimin për 48 orë. Shkak u bënë rregullat e reja për hyrje-dalje, të cilat kufizojnë kohën e qëndrimit dhe ushtrimit të aktivitetit të tyre në zonën Shengen.






