Jemi në zonën e Plazhit në Durrës për një konflikt pronësie mes dy familjeve fqinje, Xhemitiku dhe Mustafa. Sipas familjes Xhemitiku, ata kanë jetuar dhe kanë pasur pronën e tyre prej vitesh, por situata ka agravuar rreth një muaj më parë, pasi familja Mustafa ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme, duke prishur murin rrethues dhe derën e tyre, për të nisur një ndërtim të ri.Nga ana tjetër, përfaqësuesja e familjes Mustafa, Makbule Mustafa, deklaron, se ndërtimi është kryer në pronën e tyre dhe në përputhje me dokumentacionin, që disponojnë. Ajo shprehet, se ka zbatuar lejen e marrë dhe madje pranon, se derën e fqinjëve e ka hequr dhe e mban në magazinë, duke këmbëngulur, se gjithçka është brenda kufijve të pronës së saj. Drejtoresha e Urbanistikës në Bashkinë e Durrës, Ana Hoxha, konfirmon, se familja Mustafa është pajisur me një leje rikonstruksioni. Megjithatë, ajo thotë, se kjo leje ka përfshirë edhe një shtesë voluminoze, çka ngre dyshime mbi zbatimin korrekt në terren.Ndërkohë, IMT ka ndërhyrë për verifikim dhe drejtori Ilir Ngresi, deklaron, se ndërtimi i ri është konstatuar si pa leje, duke sjellë masa administrative, gjobë dhe pezullim të punimeve. Sipas tij, çështja është referuar në prokurori dhe i është lënë kohë subjektit për ta prishur vullnetarisht ndërtimin. Në të kundërt, autoritetet do të ndërhyjnë për prishjen e tij.




