Rasti i sotëm na con në Elbasan dhe ka në qendër pacienten Feride Hysa, e cila prej tre vitesh vuan nga Demenca, konkretisht Sëmundja e Alzheimerit. Ajo ka qenë më parë përfituese e KEMP-it, pasi ishte vlerësuar nga specialistë neurologë dhe nga KEMP-i Epror, sipas kritereve, duke arritur pikëzimin, që e kualifikonte.Gjatë rivlerësimit në KEMP-in rajonal, rasti i saj u shqyrtua nga mjeku Bledi Gjevori, i cili e ka vlerësuar pacienten vetëm përmes një interviste, pa kryer testet standarde të vlerësimit njohës dhe pa u mbështetur në ekzaminime imazherike. Për më tepër, vlerësimi nuk është bërë nga një grup i plotë specialistësh. Si përfundim, pacientja është përjashtuar nga KEMP-i.Neurologu Pavllo Diamanti ka shpjeguar, se demenca është një sëmundje, që kërkon vlerësim të strukturuar përmes testeve specifike, që cilat përcaktojnë fazën e saj dhe nivelin e dëmtimit. Ai thekson, se pikëzimi është thelbësor, për të vendosur për KEMP.Nga ana tjetër, specialisti Bujar Cakani e përshkruan Alzheimerin si një sëmundje neurodegjenerative progresive, që zakonisht shfaqet pas moshës 50 vjeç dhe diagnostikohet nga shenjat klinike, testet dhe imazheria. Në rastin konkret, pacientja rezulton me 18 pikë, duke qenë brenda kufirit për përfitim. Pas vendimit të KEMP-it rajonal, pacientja ka bërë ankimim pranë KEMP-it Epror, i cili pritet të rishqyrtojë dokumentacionin dhe të marrë një vendim përfundimtar.
Një situatë paradoksale është regjistruar, pasi Policia Bashkiake i ka vënë një njoftim një mjeti të IMT-së, duke e konsideruar si të braktisur dhe duke paralajmëruar zhvendosjen e tij. Ndërkohë, ironikisht, një automjet i Policisë është filmuar dhe denoncuar nga një qytetar, duke nxjerrë tym e duke ndotur ajrin në qytet.
Në 4 mars të këtij viti transmetuam rastin e zotit Blendis Tufa, i cili denoncoi një aksident, të ndodhur para 6 vitesh në Bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë, ku si pasojë humbi këmbën. Sipas dëshmisë së tij, ndërsa po lëvizte me motor për të shkuar në punë, një mjet teknik, tip pirun, i bllokoi rrugën dhe i goditi këmbën, duke i shkaktuar dëmtime të rënda, që më pas, çuan në humbjen e këmbës.Drejtuesi i mjetit teknik u la i lirë pas 72 orësh. Çështja u hetua fillimisht nga prokurori Avni Kraja, i cili vendosi pushimin e saj, pavarësisht, se sipas denoncuesit, aktet tregonin përgjegjësi të drejtuesit të mjetit. Gjykata e ktheu dosjen për plotësim hetimesh, por prokurori e apeloi vendimin.Prej asaj kohe, çështja mbeti pezull dhe, sipas informacioneve, ndodhet në Apelin e Tiranës, në pritje të një vendimi, për t’u rikthyer për hetim në Prokurori. Pas transmetimit të “Stop”, gjyqtari Albert Meca, e mori këtë dosje sërish, pas lëvizjeve të gjyqtarve në Apel dhe caktoi datën 15 prill, për ta gjykuar dhe rikthyer në Prokurori për hetim.I habitur dhe mirënjohës, Blendis Tufa, falenderon për këtë lëvizje emisionin “Stop”.




