SMS mashtruese në emër të postës, Policia: Kujdes nëse ju vjen ky mesazh

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policia e Shtetit ka ngritur alarmin këtë të hënë për qarkullimin e mesazheve SMS mashtruese, të cilat paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga shërbimet postare për dorëzimin e paketave.

Sipas njoftimit zyrtar, këto mesazhe përmbajnë lidhje të dyshimta dhe u kërkojnë qytetarëve të ndërmarrin veprime urgjente, me qëllim mashtrimin dhe përfitimin e të dhënave sensitive.

Autoritetet bëjnë me dije se qëllimi i këtyre skemave është përvetësimi i të dhënave personale, vjedhja e të dhënave bankare si dhe sigurimi i aksesit të paautorizuar në llogaritë financiare të qytetarëve.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike thekson se bëhet fjalë për tentativa të mirëfillta mashtrimi dhe u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal në çdo rast.

Policia apelon që qytetarët të mos klikojnë në lidhje të dërguara nga numra të panjohur, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të mos ndjekin udhëzime që kërkojnë veprime urgjente pa i verifikuar më parë.

Ndërkohë, rekomandohet që mesazhe të tilla të fshihen menjëherë dhe të mos ketë asnjë ndërveprim me përmbajtjen e tyre. Çdo rast i dyshimtë duhet të raportohet pranë autoriteteve përkatëse.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike thekson se mbetet e angazhuar për identifikimin dhe goditjen e këtyre skemave mashtruese, me synim garantimin e sigurisë digjitale për të gjithë qytetarët.

Të Fundit