Skema e re kombëtare për mbështetjen e fermerëve po shoqërohet me kritika të forta në terren. Në fshatrat e njësisë administrative Levan, në Fier, fermerët thonë se kjo skemë nuk u jep zgjidhje konkrete problemeve të tyre dhe mbetet larg standardeve europiane.
Ata thonë se subvencionimi aktual prej vetëm 12 mijë lekësh për lopë është i papërfillshëm, ndërkohë që në vendet e rajonit mbështetja është shumë më e lartë, deri në 700 euro, ndërsa në Serbi arrin në 1200 euro për krerë. Një tjetër problem mbetet çmimi i naftës.
Situata paraqitet edhe më e rënduar për fermerin Llesh Marku, i cili thotë se nuk ka përfituar asnjëherë subvencione çka e ka detyruar të shesë 15 krerë lopë.
Fermerët e zonës shprehen njëzëri se skemat kombëtare nuk kanë arritur të përfshijnë shumicën e tyre dhe nuk kanë përmbushur pritshmëritë reale në terren, duke i cilësuar ato të dështuara dhe të pamjaftueshme për të mbështetur zhvillimin e bujqësisë.




