“Lava trupin e saj të pajetë”, rrëqethin prindërit e Ilaria Sulës: E veshëm me fustan princeshe, nuk jetojmë, vetëm mbijetojmë

Në një intervistë prekëse në emisionin “Verissimo”, Gëzime Sula dhe Flamur Sula kanë rrëfyer dhimbjen e madhe pas humbjes tragjike të vajzës së tyre, Ilaria Sula, e cila u vra me thikë nga ish i dashuri i saj, Mark Samson.

Sipas prindërve, 25 marsi 2025 ishte dita e fundit kur patën kontakt me vajzën e tyre.

“Për ne, ajo është vrarë po atë ditë”, shprehen ata, duke theksuar bindjen se krimi ka qenë i paramenduar, ndryshe nga deklarimet e autorit në gjykatë.

Alarmi u ngrit pasi Ilaria, e cila studionte në Romë, nuk u kthye në shtëpi.

Prindërit udhëtuan menjëherë drejt kryeqytetit italian dhe bënë denoncimin. Gjatë kërkimeve, ata takuan Mark Samson, i cili mohoi çdo përfshirje dhe madje u betua se nuk do t’i bënte kurrë keq vajzës.

Ndërkohë që Ilaria rezultonte e zhdukur, autori kishte dërguar mesazhe nga telefoni i saj, duke krijuar përshtypjen se ajo ishte larguar me dëshirë.

Ishte vëllai i saj, Leon, ai që arriti të gjurmonte telefonin, duke e lokalizuar në banesën e Samson dhe duke ndihmuar hetuesit të zbulojnë të vërtetën.

Trupi i pajetë i Ilarias u gjet më 2 prill, i fshehur në një valixhe të hedhur në një humnerë. Sipas hetimeve, në fshehjen e krimit ka ndihmuar edhe nëna e autorit, e cila ka pranuar fajësinë dhe ka marrë një dënim prej dy vitesh.

Prindërit e viktimës shprehen se nuk mund ta pranojnë kërkimfaljen e saj. “Si mund të kërkojë falje pasi pastroi gjakun e vajzës sonë?”, thonë ata mes dhimbjes.

Nëna e Ilarias rrëfen momentet më të rënda, nga lindja e vajzës deri tek përgatitja e saj për varrim.

“Siç e preka për herë të parë kur lindi, e preka edhe për herë të fundit kur e lava. Doja ta vishja si një princeshë, sepse ajo ishte princesha jonë”.

Sot, familja jeton vetëm për drejtësi.

“Nuk jetojmë më, vetëm mbijetojmë. Ecim përpara për djalin tonë dhe për të kërkuar drejtësi për Ilarian. Buzëqeshja nuk do të kthehet më, por ajo duhet të ketë drejtësi”, përfundojnë ata.

 

Të Fundit