Një qytetar nga Tirana, Platon Cena, denoncon një rast të moskthimit të një shume prej 30 mijë eurosh nga ndërtuesi Alfred Loka.Sipas tij, në vitin 2016 kishte rënë dakord për të blerë një dyqan nga ndërtuesi, të cilit i kishte dhënë paraprakisht 20 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër do të jepej pas përfundimit të procedurave. Por prona u shit tek një person tjetër dhe palët firmosën një deklaratë noteriale, ku ndërtuesi merrte përsipër kthimin e shumës së plotë.Megjithëse kanë kaluar vite dhe pavarësisht dokumentit noterial, qytetari pretendon, se nuk ka marrë ende paratë. Ai thotë, se është përballur vazhdimisht me premtime të pambajtura dhe justifikime nga ndërtuesi.Nga komunikimet e siguruara, Alfred Loka dëgjohet, teksa premton kthimin e shumave në data të ndryshme, duke përmendur transferta bankare, pagesa pjesore, apo takime te noteri, por pa realizim konkret. Në disa raste, ai justifikohet me probleme bankare apo vonesa të papritura, duke vazhduar, të japë afate të reja për shlyerjen e detyrimit.Pas më shumë se 7 vitesh nga marrëveshja fillestare dhe rreth 3 vite nga deklarata noteriale, qytetari ende pret kthimin e parave.
Një qytetar i është drejtuar emisionit “Stop”, duke denoncuar një rast skandali me një gjobë makine. Sipas tij, masa administrative, që i takon mesit të muajit mars 2026, është e shkruar me datën 15 prill 2023.Qytetari shpreh dyshime për manipulim të të dhënave, pasi data e shënuar në procesverbal, nuk përputhet me momentin, kur ai është ndaluar dhe gjobitur.
Një mësuese në sistemin parauniversitar, e cila synon të konkurojë për pozicion drejtues, përballet me një paradoks në sistemin e vlerësimit të kualifikimeve. Ajo ka përfunduar një master profesional në “Drejtim dhe Administrim në Arsim” pranë Universiteti Aleksandër Xhuvani, një program dyvjeçar me 90 kredite, që synon përgatitjen e drejtuesve të institucioneve arsimore. Megjithatë, ky formim akademik nuk i jep asnjë pikë në procesin e konkurimit për drejtor, apo nëndrejtor shkolle.Në të kundërt, certifikata e lëshuar nga Shkolla e Drejtorëve vlerësohet me 10 pikë, pavarësisht, se përfitohet pas një programi 9-mujor. Vetë Universiteti konfirmon, se masteri dhe certifikata janë dy formime të ndryshme dhe jo të barasvlefshme, çka në praktikë e vendos në disavantazh formimin e gjatë universitar.Sipas ekspertes së arsimit të lartë, Nora Malaj, kjo situatë bie ndesh me logjikën e sistemit arsimor dhe zhvlerëson investimin akademik. Ajo thekson, se mosvlerësimi me pikë i një diplome master, krijon pabarazi dhe favorizon një rreth të mbyllur drejtuesish, duke kufizuar mundësitë për mësues të tjerë të kualifikuar, që të avancojnë në karrierë.




