Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në konferencë për shtyp këtë të martë, 31 mars, ku prezantoi Skemën Kombëtare Mbështetëse për Fermerët, të sapomiratuar.
“Është një skemë që ne e kemi konsoliduar së bashku me fermerët në të gjithë territorin, në një dëgjesë me ta”, u shpreh fillimisht ai, duke theksuar se qeveria ka akorduar një buxhet prej 5.2 milionë lekësh për këtë nismë. Njoftoi se brenda pak ditësh do të hapet thirrja për aplikimet nga ana e fermerëve.
“Do të mbështesim të gjitha aplikimet apo projektet, që janë investimet në sera, pemë frutore, vreshta, stalla, mekanikë bujqësore, agroturizëm…Do të hapim investime për thirrje të reja, për fermerët e rinj të cilët do të mbështeten me 10 milionë lekë ose 10 mijë euro grant, kryesisht në blegtori.
Për ndërtimin e staneve për blegtorët me grant diku te 3 milion lekë, për pajisje dhe makineri bujqësore me grant 500 mijë lekë, ku përfshihen tankerat për ruajtjen e qumështit dhe vajin e ullirit. Prioritet do ketë në blegtori, ku për gjedhë nga 10 mijë lekë në 12 mijë lekë, për të imtat nga 1200 lekë në 1500 lekë, ku dyfishohet për bletën nga 1 mijë lekë në 2 mijë lekë, që është një nga mbështetjet që i kemi dhënë bletarisë. Kemi rreth 600 mijë koshere dhe duam ta çojmë në vitin 2027 në 1 milion”, deklaroi Salla.
“Për herë të parë, japim 7 mijë lekë për dosën, në sektorin e derrit. Është një masë e re që e kanë adresuar fermerët”, shtoi ai.
“Përfitojnë fermat me 5 lopë, me 50 krerë të imta, me 25 koshere dhe me 5 dosa. Për kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera rritet mbështetja me 70% të kostos së shpenzimeve.”
“Subjekti i rritjes së peshkut në ujërat e brendshëm do të mbështetet po ashtu, për blerje rasati në ujërat e ëmbla. Për masa të tjera që përafrohen me pagesat që zbatohen në BE, janë për fermat që kanë mbi 3 hektarë, do të përfitojnë 10 mijë lekë. Pra, në çdo hektar të mbjellë!
Këtë vit, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor do të mbështeten në masën 100%. Vazhdojmë mbështesim fermat me prodhim organik të certifikuar”, theksoi më tej ministri.




