Berisha: Raporti i IBAR, Shqipëria ngeli në klasë! S’ka votim unanim. BE na ka bllokuar integrimin për shkak se Rama mbrojti Ballukun nga arrestimi

Kryetari i Partisë Demokratike sqaroi sot nga konferenca për shtyp se raporti i IBAR për Shqipërinë apo i Vlerësimit të Standardeve për integrimin në BE dhe vijimin e mbylljes së kapitujve nuk u miratua nga vendet e BE-së sepse kërkon votë unanime, pasi shkaku de fakto ishte bllokimi dhe mbrojtja që kryeministri Edi Rama i bëri Belinda Ballukut në Parlament nga arrestimi dhe mbrojtjes së vetes së tij njëkohësisht.

Ai akuzoi kreun e qeverisë së ka bllokuar procesin e integrimit të vendit, duke penalizuar shqiptarët, teksa me propagandën e tij mediatike përpiqet të mashtrojë se procesi po ecën para dhe se raporti IBAR kishte marrë dritën jeshile.

“Raporti i IBAR apo i Vlerësimit të Standardeve, në të cilin kërkohet përparimi në sundimin e ligjit në sistemin gjyqësor në luftën ndaj korrupsionit, në dy kapituj kryesore 23 dhe 24 për negociatat, në rastin e Shqipërisë mbeti në klasë. Për ata të cilët bëjnë fjalë se procesi vazhdon, informoj shqiptarët se përderisa vendet e BE-së ta miratojnë në mënyrë unanime raportin IBAR, Shqipëria nuk do mund të ecë përpara në mbylljen e kapitujve”, tha ai.

Berisha shpjegoi se Shqipëria është në vendnumëro dhe se Rama po mbron veten dhe me kartonët në Parlament pengoi arrestimin e “Lubi Ballukut”.

“Pra Shqipëria është e bllokuar, në vendnumëro, nuk ecën dot para. Ky raport do miratim unanim, pra shqiptarët ta kenë të qarë se Edi Rama me vendimin që mori për të mbrojtur veten e tij, duke bllokuar arrestimin e Lubi Ballukut në parlament, bllokoi de fakto procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”, akuzoi kreu i opozitës.

Lideri i selisë blu theksoi se raporti nuk kalon pa votat unanime të vendeve të BE-së dhe kjo e fundit ka bërë thirrje për lajme transparente rreth kësaj çështjeje.

“Sqarim për mediat që ta përcjellin në mënyrë korrekte, këto janë komentet që bënë përfaqësuesit e BE për Radio Evropa e Lirë, në mënyrë që qytetarët të mos mashtrohen nga propaganda e Ramës, argatit të tij Vuçiç apo Agasët. Raporti i Vlerësimit të Standardeve për Shqipërinë, për shkak të hapave pas të Shqipërisë, nuk u votua në mënyrë unanime dhe kërkon votë unanime e kjo për shkak të vendimit të Ramës për mbrojtjen e vetes së tij”, u shpreh Berisha.

Të Fundit