Një grabitje e shpejtë dhe tepër e organizuar ka vënë në alarm autoritetet italiane, pasi disa prej veprave më të vlefshme të artit modern janë vjedhur nga një muze pranë Parma.
Ngjarja ndodhi më 22 mars në ambientet e Fondazione Magnani-Rocca, një vilë historike e njohur si “Villa dei Capolavori”, ku ruhen koleksione të rëndësishme arti europian. Sipas hetimeve paraprake, katër persona të maskuar kanë hyrë me forcë nga dera kryesore, duke vepruar me shpejtësi dhe qartësisht sipas një plani të mirëpërgatitur.
Grupi u drejtua menjëherë drejt të ashtuquajturës “Dhoma Franceze” në katin e parë, ku ishin ekspozuar disa nga veprat më të rëndësishme të koleksionit. Brenda vetëm tre minutash, ata arritën të marrin tre piktura të realizuara nga Pierre-Auguste Renoir, Paul Cézanne dhe Henri Matisse.
Ndër veprat e vjedhura është Les Poissons” (rreth vitit 1917) nga Renoir, një pikturë në vaj që përfaqëson stilin e tij të vonë impresionist dhe konsiderohet më e vlefshmja nga tre, me një çmim të vlerësuar rreth 6 milionë euro.
Vlera totale e pikturave të vjedhura vlerësohet rreth 9 milionë euro, çka e bën këtë një nga grabitjet më të rëndësishme të artit në Itali në vitet e fundit.
Sistemi i alarmit të muzeut u aktivizua gjatë operacionit, duke detyruar autorët të ndërprisnin grabitjen më herët se sa mund të kishin planifikuar. Sipas burimeve, ekziston dyshimi se ata kishin synuar të merrnin më shumë vepra, por u detyruan të largoheshin për të shmangur përballjen me policinë.
Pas marrjes së pikturave, autorët u larguan duke kaluar mbi një gardh rrethues dhe humbën gjurmët. Deri më tani nuk raportohet për të arrestuar, ndërsa hetimet janë në zhvillim intensiv.
Rasti po ndiqet nga Carabinieri, në bashkëpunim me njësinë speciale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Bolonjë. Autoritetet besojnë se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, i cili mund të ketë pasur informacion të brendshëm mbi vendndodhjen e veprave dhe dobësitë në siguri.
Ekspertët e artit paralajmërojnë se këto lloj grabitjesh shpesh lidhen me tregun e zi ndërkombëtar, ku vepra të tilla ose shiten në mënyrë të paligjshme, ose përdoren si “monedhë shkëmbimi” në rrjete kriminale.
Ky incident vjen në një kohë kur institucionet kulturore në Europë po përballen me sfida në rritje për mbrojtjen e koleksioneve të tyre, sidomos ato private, të cilat shpesh kanë masa sigurie më të kufizuara krahasuar me muzetë shtetërorë.
Fondazione Magnani-Rocca u themelua në vitin 1984, pas vdekjes së koleksionistit dhe kompozitorit Luigi Magnani. Fondacioni është i njohur për koleksionin e tij të pasur me vepra të mjeshtërve europianë dhe konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore në rajonin e Emilia-Romagna.



