Një 28-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit pasi lëvizte në qytet me armë me vete. Edrin Varaku nuk është një emër i panjohur për shërbimet e policisë pasi në 2013-ën ai vrau me armë shokun e tij të shkollës.
I riu dënuar u kap në lagjen nr. 13, teksa ndodhej pasagjer në makinën e një personi tjetër.
Drejtuesi i automjetit do të hetohet në gjendje të lirë për moskallëzim krimi. Ndërkohë arma e zjarrit pistoletë, u sekuestrua si provë materiale.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që qarkullojnë me armë pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një rast të kësaj veprimtarie kriminale, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Pasagjeri”.
Gjatë operacionit, në lagjen nr. 13, Durrës, u ndalua automjeti me drejtues shtetasin A. L., ku dyshohej se lëvizte si pasagjer një shtetas i armatosur, shtetasi E. V.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. V., pasagjer në këtë automjet, iu gjet 1 armë zjarri pistoletë, me municion luftarak, që ai e posedonte pa leje.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi E. V., 28 vjeç, banues në Shijak, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ndërsa shtetasi A. L., 25 vjeç, banues në Shijak, u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme”, njoftoi sot policia.




