Papa Leo viziton Monakon, u bën thirrje të pasurve të ndihmojnë njerëzit në nevojë

Papa Leo XIV të shtunën bëri një udhëtim njëditor në Monako, dhe u bëri thirrje banorëve të tij të ndajnë pasurinë e tyre dhe të ndihmojnë ata që janë në nevojë.

“Në sytë e Zotit, asgjë nuk merret kot!” u tha Papa turmave.

“Çdo e mirë që vendoset në duart tona, mbart një nevojë të brendshme për të mos u kursyer, por për t’u ndarë, në mënyrë që jeta e të gjithëve të jetë më e mirë”, shtoi ai.

Leo është Papa i parë në gati pesë shekuj që viziton enklavën e pasur mesdhetare. Vatikani tha se ai donte të tregonte se vendet e vogla mund të kenë një ndikim të madh në skenën botërore.

Ai mbërriti pas një udhëtimi 90-minutësh me helikopter nga Vatikani dhe u takua fillimisht me Princin Albert, kreun e shtetit të Monakos dhe djalin e yllit të ndjerë të Hollivudit, Grace Kelly.

Papa përsëriti mesazhin e tij se të pasurit duhet t’i ndihmojnë ata që janë më pak me fat në dhuratën e tij zyrtare për Albertin.

Ai i dhuroi princit një vepër arti shumëngjyrëshe të krijuar nga studioja e mozaikut të Vatikanit, një imazh të Shën Françeskut të Asizit, një bir i shekullit të 13-të i një tregtari të begatë italian i cili hoqi dorë nga trashëgimia e tij për të ndihmuar të varfrit.

Të Fundit