Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në takimin në Njësinë 2, tha se çmimet e energjisë janë ulur me 10 për qind. Gjithashtu, kreu i qeverisë u ndal edhe te çmimi i naftës, ku theksoi se me anë të Bordit të Transparencës, çmimet janë diktuar, duke i sjellë në një nivel të arsyeshëm.
“Kemi bërë reagime që kanë ndihmuar ekonominë të mos rrëzohet. Jemi të vetmit që kemi ulur çmimin e energjisë me 10 për qind, 10 për qind nuk është pak.
Me naftën kemi hyrë në veprim me Bordin e Transparencës, kemi filluar të diktojmë çmimin. Në ndërkohë, po përgatitemi për një ndryshim të madh, i cili duhet të vijë në kohën e duhur, sepse nuk mund të bëhet thjeshtë”, u shpreh Rama.
Sakaq, Rama u shpreh se është e nevojshme edhe një ristrukturim në Bashkinë e Tiranës.
“Duke qenë se ne kemi rinisur punën në funksion të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, ne fitoret tona i projektojmë, i përgatisim duke marrë kohë dhe shumë më parë se gjithë të tjerët, ne kemi parë nevojën të bëjmë një ristrukturim të punës në Bashkinë e Tiranës. Organizimi është a-ja”, tha ai.
Rama foli edhe për Paketën e Maleve dhe prokurimet publike. Sipas tij Shqipëria është e para në rajon për cilësinë e prokurimeve publike.
“Tani shumë gjëra nuk janë siç kanë qenë. Ne kemi kaluar nga të fundit në të parët për cilësinë e prokurimeve publike. E-Albania ka ndryshuar jetën e njerëzve dhe kemi më shumë gjëra për ta përmirësuar më shumë atë shërbim. Në këtë proces ku do të bëjmë zgjedhjet dhe ripërtëritjen e organizatës, të mos bëjmë diçka formale por diçka të saktë. E kemi mësuar që kur përgatitemi në kohë dalim shumë mirë në rezultat. Kur i lë zvarrë ata nuk rikuperohen më për shkak të kohës”, tha ai.



