Transportoi emigrantë të paligjshëm kundrejt një pagese, arrestohet 27-vjeçari

Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Tranziti”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale për dhënien e ndihmës emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufijve.

Si rezultat i këtij operacioni, është arrestuar një 27-vjeçar, banues në Karbunarë, i identifikuar me inicialet A. S., i cili dyshohet se transportonte emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës.

Arrestimi i tij u bë në Koplik, ku u kap duke transportuar me automjet 6 emigrantë nga Pakistani, Bangladeshi dhe Afganistani, të cilët synonin të kalonin kufirin drejt Malit të Zi. Sipas hetimeve paraprake, 27-vjeçari i ndihmonte këta shtetas të kalonin ilegalisht fillimisht kufirin me Greqinë dhe më pas atë me Malin e Zi, kundrejt pagesës prej 650 euro për person.

Ndërkohë, ndaj 6 emigrantëve është nisur procedim penal për kalim të paligjshëm të kufirit, përfshirë edhe një të mitur 16 vjeç.

Gjatë operacionit janë sekuestruar automjeti dhe telefoni celular i të arrestuarit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit