Mos vononi! DPTTV apelon: Paguani në kohë detyrimet për vitin 2026, për të shmangur penalitetet

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV) pranë Bashkisë Tiranë u bën apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të kryejnë pagesat e taksave dhe tarifave vendore për vitin 2026 brenda afateve të përcaktuara, për të shmangur penalitetet, kamatëvonesat dhe gjobat.

Sipas njoftimit të DPTTV-së, gjatë muajit Mars është përmbyllur procesi i gjenerimit dhe shpërndarjes së njoftimeve për detyrimet e taksave dhe tarifave vendore për vitin tatimor 2026. Ky proces përfshin si subjektet tregtarë për detyrimet e biznesit, ashtu edhe individët që janë pronarë të njësive tregtare për detyrimet e taksës mbi pasurinë e paluajtshme.

Për të lehtësuar aksesin dhe transparencën, njoftimet janë vënë në dispozicion në mënyrë elektronike përmes platformës “e-Albania”, ku çdo taksapagues i kryeqytetit mund të konsultojë detyrimin përkatës në profilin e tij. Njëkohësisht, për të garantuar informimin e plotë, ato janë dërguar edhe me postë në adresat fizike të vetëdeklaruara nga taksapaguesit.

Afati për pagesën e taksave dhe tarifave vendore për bizneset është data 31 Maj 2026. Ndërkohë, për taksën mbi pasurinë e paluajtshme për pronarët e njësive tregtare, kësti i parë duhet të shlyhet deri më 20 Prill 2026 dhe kësti i dytë deri më 30 Qershor 2026.

Të Fundit