STOP-EMISIONI 145(Sezoni 11) 25 Mars 2026-I zhvat 22 milione leke dhe e kercenon me jete, saga 9-vjeçare e mashtrimit

Prej 9 vitesh, zonja Luke endet mes premtimeve të pambajtura dhe justifikimeve të njëpasnjëshme nga Agur Sadiku, i cili i detyrohet asaj plot 22 milionë lekë. Historia nis, kur Sadiku fitonte tendera dhe për të përmbushur furnizimet në institucione, produktet i siguronte zonja Luke me paratë e saj. Në fillim, ai i shlyente detyrimet, duke krijuar besim, por më pas pagesat u ndalën dhe komunikimi u kthye në një zinxhir mashtrimesh.Sa herë, që zonja i kërkonte paratë, ai i ndryshonte afatet. Herën e fundit i tha, se do t’i jepte një pjesë të detyrimit në 17 mars.Por sërish gënjeu. Madje, pas kësaj, Aguri e bllokoi, duke ndërprerë çdo komunikim.Në një ballafaqim të drejtpërdrejtë, Agur Sadiku pranoi vetëm 9 milionë lekë borxh, të cilat i ka edhe me deklaratë noteriale. Ndërkohë, pjesa tjetër e shumës, sipas zonjës Luke, është e dokumentuar me shkrimin e tij në një bllok, që ajo disponon. Për të kërkuar përgjigje, shkuam deri në banesën e tij në Urën Vajgurore, por reagimi i Agur Sadikut ishte kërcënues, duke iu drejtuar zonjës me fjalë të rënda dhe deri në kërcënime për jetën.Sot, pas 9 vitesh pritjeje, zonja Luke ka bërë kallëzim për mashtrim në Drejtorinë e Policisë Berat. Ndërsa Agur Sadiku vazhdon të pranojë vetëm një pjesë të borxhit.

Një përplasje politike ka lindur pas mungesës së Elisa Spiropali në seancën, ku u votua për imunitetin e Belinda Balluku.Taulant Balla deklaroi, se kjo çështje do të diskutohet në grupin parlamentar, duke lënë të kuptohet, se mund të ketë pasoja politike për Spiropalin.Nga ana tjetër, reagimi i Spiropalit ka qenë me tone sfiduese. Ajo është shprehur në rrjetet sociale, se mezi po pret të thirret mbledhja e të diskutohet mbi cështjen. Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, vlerësoi punën e Prokurorisë së Posaçme në luftën ndaj korrupsionit. Për Komisioneren Kos, me rëndësi është që korrupsioni të pranohet, e më pas të luftohet.

Në emisionin e mbrëmshëm transmetuam problemin e zotit Mark Marku, i cili rrëfeu historinë e tij absurde me një kredi të shlyer, por që vijon t’i mbajë peng pronën.Në vitin 1994 ai mori një kredi prej 2.6 milionë lekësh të vjetra, për të blerë një traktor, duke vënë kolateral, shtëpinë e tij në Pukë. Në vitin 2015 u kontaktua nga një përmbarues dhe me shumë sakrifica, mori borxh dhe pagoi të gjithë shumën e mbetur, por nuk mori një dokument, që vërtetonte mbylljen e kredisë. Në vitin 2017, Agjencia e Trajtimit të Kredive i kërkoi sërish pagesë për principalin, por Marku, i bindur se e kishte shlyer, nuk e ndoqi më tej. Në vitin 2022, kur tentoi të marrë një kredi të re, iu mbajtën para për të njejtin detyrim. Agjencia e Trajtimit të Kredive konfirmoi zyrtarisht, se kredia është shlyer dhe duhet të hiqet çdo barrë mbi pronën.Banesa iu zhbllokua, por tani një tokë arë dhe truall prej 1625 m² iu bllokua pa dijeninë e tij. Në qendër të kësaj historie del ZIG, një shoqëri përmbarimore private, administratori i së cilës, Arben Meskuti, është arrestuar për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal. I njëjti fat ka ndjekur edhe përmbaruesin tjetër, Fatos Alimadhi, i cili gjithashtu është arrestuar dhe i është hequr licenca.Pas transmetimit tonë, u arrit që Mark Markut t’i hiqet sekuestroja, sipas përgjigjes së kadastrës, pasi u gjet urdhri i ekzekutimit origjinal. Sërish i emocionuar Marku shpreh mirënjohjen ndaj stafit të emisionit “Stop”.

Të Fundit