Vodhi 4 banesa në Golem dhe Kavajë, kapet 31-vjeçari nga Skrapari

Policia e Kavajës ka arrestuar një 31-vjeçar nga Skrapari, i cili dyshohet se ka vjedhur në katër banesa në zonat e Golemit dhe Kavajës, ndërsa gjatë kësaj periudhe ishte shpallur në kërkim për një vjedhje me dhunë në bashkëpunim në Tiranë.

Në pranga ka rënë 31-vjeçari T. H.,, banues në Skrapar, i cili dyshohet se i ka kryer këto vjedhje ndërkohë që ishte në kërkim për një vjedhje me dhunë të kryer në Tiranë.

Sipas policisë, gjatë muajve shkurt dhe mars 2026, T. H. dyshohet se ka vjedhur orendi, pajisje dhe sende me vlerë nga katër banesa në zonat e Golemit dhe Kavajës.

Verifikimet treguan se shtetasi ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 4, Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” në bashkëpunim, pasi më 17 mars 2026, së bashku me një tjetër person, dyshohet se i vodhën një 28-vjeçari dy celularë dhe një shumë parash.

Ndalimi i tij u krye nga strukturat e DVP Tiranë, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë.

Të Fundit