Ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka reaguar për protestën e dhunshme të zhvilluar dje nga Partia Demokratike. Gogu flet për dy realitete të ndryshme, flakë e tym nga një opozitë e varfër, e nga ana tjetër për negociata e anëtarësim në BE nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.
Ministri Gogu thotë se çdo molotov i hedhur drejt institucioneve, ngadalëson hapin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Ka momente kur një shoqëri vihet përballë një zgjedhjeje të thjeshtë, por vendimtare: midis spektaklit të zjarrit dhe durimit të ndërtimit. Në rrugët tona, herë pas here, shfaqet i njëjti ritual, flakë që ngrihen përpara institucioneve, tym që mbulon fasadat e shtetit, zhurmë që kërkon të zëvendësojë fjalën. Është një gjuhë e varfër politike, që përsëritet sa herë mungon alternativa.
Dhe megjithatë, jashtë këtij tymi, ekziston një tjetër realitet: tryezat e negociatave, kapitujt që hapen e presin te mbyllen, standardet që kërkohen me këmbëngulje nga Europa. Sepse rruga europiane nuk ndërtohet me flakë, por me besim, rregull dhe përgjegjësi. Çdo molotov që godet institucionet nuk djeg vetëm muret e tyre, por ngadalëson hapin e një vendi që kërkon të ecë përpara.
Shqipëria nuk ka nevojë për zjarr për të dëshmuar forcën e saj; ajo ka nevojë për qetësinë dhe vendosmërinë e njerezve punetore që ndërtojnë të ardhmen e femijeve te tyre”, shkruan Gogu.




