Sot festa e Sulltan Novruzit, kryeministri uron besimtarët bektashianë

Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Novruzit, dita e lindjes e imam Aliut në Qabe.

Sipas besimit, në këtë ditë të shënuar, gjithçka rigjallërohet, lind shpresa dhe ringjallja për njerëzimin.

Pikërisht në këtë ditë, kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët bektashianë me pamje nga xhamia teqeja Helvetive në Berat.

“Mirëmëngjes dhe me urimin për Ditën e Sulltan Novruzit nga Teqeja e Helvetive, në Berat, ndër më të bukura të Ballkan, ku qetësia e harmonia janë besim, ju uroj një të diel të paqtë”, shkruan Rama.

Çfarë është Dita e Sulltan Novruzit

Fjala “Nevruz” ka kuptimin e “Ditës së re” dhe rrjedh nga persishtja. Ndërsa fjala “Sulltan” përfaqëson një titull të lartë dhe autoritar. Kjo festë ka një histori të thellë, duke nisur nga origjinat e saj që i përkasin kohëve të lashta. Në Shqipëri, festa e Sulltan Nevruzit është përhapur pas ardhjes së bektashizmit në shekujt XIV. Ajo ka një lidhje të veçantë me datën e lindjes së Imam Aliut, një nga figurat më të shenjta dhe të nderuara të traditës islame.

Në këtë ditë, poeti i njohur shqiptar Naim Frashëri ka shprehur domethënien e saj, duke thënë: “Sot është një ditë e re që përsëritet moti, lind Vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vet Zoti.” Ky citat na sjell para syve idenë e ringjalljes dhe të shpresës për një të ardhme më të ndritur. Festa e Sulltan Nevruzit ka një rëndësi të madhe për besimtarët bektashinj dhe për të gjithë ata që e konsiderojnë Imam Aliun si një shenjë të drejtësisë, diturisë dhe fisnikërisë. Ai ka lindur më 22 mars dhe është i pari nga Dymbëdhjetë Imamët, duke zënë një vend të rëndësishëm në historinë islame.

Imam Aliu është jo vetëm dhëndri i Profetit Muhamed, por gjithashtu një simbol i luftës për drejtësi, përparim dhe unitet ndërmjet njerëzve. Profeti Muhamed ka thënë: “Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij”, një citat që tregon vlerat e larta të tij si një dijetar dhe lider i shquar. Ai është një figurë me një dituri të thellë dhe ka lënë pas një trashëgimi të madhe që ka ndikuar në formimin e shoqërive dhe kulturave. Me fjalët dhe veprimet e tij, Imam Aliu është bërë një emër i nderuar në mbarë botën islame.

Për bektashinjtë, Sulltan Nevruzi është një ditë e shenjtë dhe e bekuar. Kjo ditë është një moment reflektimi dhe falënderimi, si dhe një mundësi për të ripërtërirë lidhjen me shpirtin dhe besimin. Në këtë ditë, besimtarët gëzojnë dhe festojnë me ritualet dhe traditat që shoqërojnë këtë ditë speciale. Një nga ato është pirja e një gote qumështi, i cili simbolizon lindjen e një dite të re dhe të rinovuar. Ky ritual ka një kuptim të thellë, pasi qumështi është gjithashtu një simbol i pasurisë dhe dashurisë së nënës.

Sulltan Nevruzi ka një domethënie të thellë shpirtërore dhe ka një lidhje të ngushtë me ripërtëritjen e jetës dhe shpresën për ditë më të mira. Dita e 22 marsit ka një rëndësi të veçantë për besimtarët bektashinj, pasi përkon dhe me 31-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, një ngjarje historike në të cilën mori pjesë edhe Nënë Tereza, një nga figurat më të nderuara të Shqipërisë dhe botës.

Në këtë festë, gatimet janë gjithashtu pjesë e rëndësishme e festës, dhe për këtë ditë bektashinjtë përgatitin disa ushqime tradicionale që kanë kuptim të veçantë. Byreku është një nga ato gatime që përgatitet me 12 lloje të ndryshme barishtesh, duke përfshirë spinaqin, majdanozin, gjethet e lakrës, qepën dhe orizin, të cilat simbolizojnë jetën e re që lind me ardhjen e pranverës. Byreku përmban gjithashtu një monedhë metalike, dhe ai që e gjen monedhën në pjesën e tij besohet se do të ketë një vit të mbarë dhe të begatë. Kjo është një traditë që pasqyron besimin se pas një periudhe të vështirë, do të vijnë ditë të lumtura dhe të begata.

Të Fundit