Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në Olmo të Italisë, ku një 30-vjeçar me origjinë shqiptare është vrarë me armë zjarri. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkaqe pasionante, shkruajnë mediat italiane.
Viktima, Gjergj Pergegaj, banues në Frassineto, është qëlluar disa herë me armë, ndërsa ndodhej pranë një restoranti në zonë. Një prej plumbave e ka goditur në qafë dhe i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Një tjetër plumb ka dëmtuar fasadën e një lokali aty pranë.
Dëshmitarë dhe pronari i restorantit “Chez Vous” kanë dhënë alarmin pasi kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë gjetur trupin e pajetë të të riut. Autori i dyshuar është larguar me një makinë Audi të bardhë.
Policia ka nisur menjëherë kërkimet dhe rreth orës 02:00 të mëngjesit ka arrestuar një 35-vjeçar, gjithashtu me origjinë shqiptare, i dyshuar si autor i krimit.
Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit “San Donato” në Arezzo.
Sipas hetimeve, ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti sentimental. Viktima ishte takuar me ish-të dashurën e tij, me origjinë nga Rumania, kur ka mbërritur partneri aktual i saj. Ai dyshohet se, pasi i ka parë bashkë, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.



