Tentativë grabitjeje në Pogradec, hajdutët hapin qepenin por tremben nga policia! Flet pronari

Një tentativë vjedhjeje ka ndodhur gjatë orëve të natës në një argjendari në lagjen nr 3 në qytetin e Pogradecit. Mësohet se dy persona të maskuar kanë tentuar të hapin me forcë qepenin e një argjendarie.

Burimet bëjnë me dije se hajdutët kanë arritur të ngrejnë qepenin aq sa mund të futeshin brenda, kanë thyer xhamin e derës kryesore, por në momentin që po futeshin kanë parë të afrohej patrulla e policisë dhe kanë mundur të largohen.

Policia është vënë në kërkim të tyre, ndërsa ka sekuestruar disa kamera biznesesh në zonë për të parë mundësinë e identifikimit të tyre.

“Është hera e tretë që biznesi im vidhet. Këtë herë nuk kanë mundur të marrin gjë, kanë hyrë, por i ka trembur sistemi i alarmit. Ishin 3 veta të maskuar. Unë kam besim vetëm tek ju mediat, jo tek policia. Edhe dy herët e para ngjarjet nuk janë zbardhur, shpresoj të ndodhë këtë herë. Kam pësuar më parë dëm 15 mijë euro. Kam frikë, nuk shesim dot, nuk qëndrojmë dot, se shiko se ç’është bërë”, është shprehur pronari i argjendarisë.

Ngjarja ka ndodhur në një nga rrugët kryesore të Pogradecit “Kajo Karafili” zonë e cila ka dhjetra biznese dhe argjendari.

Ndërkohë, pritet njoftim zyrtar mbi ngjarjen nga ana e policisë së Pogradecit.

Të Fundit