Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pezulluar nga detyra drejtorin e Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të hetimeve që lidhen me zbulimin e një “shtëpie bari” në Peqin.
Policia e Elbasanit ka zbuluar brenda një godine banesë, që dyshohet se i përket kreut të Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, të paktën 4 mijë rrënjë kanabis sativa.
Ndërtesa ndodhej në një fshat pranë qytetit të Peqinit, por ende nuk ka informacion zyrtar mbi këtë dhe operacioni është në proces e sipër.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se distancohet nga çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe mbështet plotësisht hetimin e plotë dhe transparent të rastit.
Njoftimi i plotë
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është vënë në dijeni nga mediat lidhur me rastin e drejtorit të IEVP Rrogozhinë, Bilal Hasa.
Në vijim të informacionit të marrë, Drejtoria e Përgjithshme ka ndërmarrë masa administrative të menjëhershme për pezullimin e tij nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente.
Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve distancohet nga çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe thekson se mbështet plotësisht hetimin e plotë dhe transparent të rastit”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.



