Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo pas mbledhjes së qeverisë ka deklaruar se kanë miratuar zonat për Paketën e Maleve në 8 bashki. Ai theksoi se paketa e maleve u miratua për bashkitë Mirditë, Kavajë, Durrës, Vlorë, Berat, Dimal dhe Librazhd. Sipas tij Paketa e maleve po ecën me shpejtësi të konsiderueshme.
“Kemi miratuar zonat prioritare për 8 bashki për paketën e maleve. Mirditë, Kavajë, Durrës, Vlorë, Berat, Dimal, Librazhd, janë gati që të vazhdojnë me procedurat për trajtimin e kërkesave për përfitimin nga paketa, bashki të cilat i kanë të miratuara zonat prioritare, janë në fazën e ezakurimit të kërkesave që kanë kaluar filtrat e kontrollit. Paketa e maleve po ecën me shpejtësi të konsiderueshme, mbi gjysmën bashkive i kemi kaluar zonat prioritare dhe do të vijojmë në javët në vijim”, tha Demo.
I pyetur në lidhje me Reformën Territoriale, Demo u shpreh se mazhoranca ka përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje e për të çuar përpara reformat. Ai shtoi se janë të hapur që kjo reformë të përfshijë të gjitha palët.
“Unë besoj që komisioni i posaçëm është mbledhur gjatë kësaj jave, javën që kemi përpara do të fillojnë dhe takimet dhe të ftuarit e parë në komision, do të jem një ndër ta për të trajtuar me atë që ka ndodhur dhe reformën. Jemi në kohë, komisioni ka kohën përpara.
Besoj ajo që është e rëndësishme është nevoja për të trajtuar atë që ka ndodhur 10 viteve të fundit që të kemi bashki më të forta nesër. Nuk flas për qëndrime politike. Komisioni do të ecë përpara, ka mjaftueshëm argumente ku të gjitha palët mund të gjejnë vetveten për të hartuar reformën.
Mazhoranca ka përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje dhe për të çuar përpara reformën. Jemi si mazhorancë shumë të hapur që kjo reformë të përfshijë të gjitha palët”, tha Demo.



