Shkolla “Besëlidhja” u grabit nga nxënësit e saj, dalin PAMJET: 5 fëmijë dhe 1 i rritur me kapuça në kokë bastisin institucionin

Janë publikuar pamjet e grabitjes së shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja” në qytetin e Lezhës, ngjarje e ndodhur në mesnatën e të dielës.

Referuar pamjeve të publikuara nga policia shikohet momenti kur 6 persona të veshur sportivë e me kapuça në kokë hynë të qetë, kryejnë grabitjen dhe dalin nga pjesa e përparme e 9-vjeçares.

Përkatësisht mësohet se autorët e vjedhjes janë 5 të mitur dhe një i rritur rreth moshës 22-vjeçare.

Grupi hetimor bën me dije se falë hetimeve dhe kontrolleve të shtrira në qytetin e Lezhës personat në fjalë janë arrestuar ndërsa sendet e grabitura janë sekuestruar, përkatësisht 16 laptopë, 2 videoprojektorë dhe serveri qendror i kamerave të sigurisë.

Më konkretisht thuhet se është vënë në pranga shtetasi A. B., 22 vjeç, si dhe u proceduan penalisht 5 të mitur të moshave 15-17 vjeç (3 prej tyre, nxënës të kësaj shkolle). Këta të fundit mendohet se janë nxitur nga 22-vjeçari, për kryerjen e këtij krimi.

Njoftimi i Policisë:

Identifikohen 6 shtetasit që hynë pas mesnate, në ambientet e shkollës, vodhën 19 pajisje dhe dëmtuan dyert e shkollës.

5 prej tyre, shtetas të mitur, u proceduan penalisht, ndërsa bashkautori, 22 vjeç, u vu në pranga.

Gjenden 16 prej pajisjeve të vjedhura (laptopë, videoprojektorë dhe server), të fshehura në një objekt në ndërtim dhe në banesën e të arrestuarit.

Si rezultat i veprimeve hetimore profesionale të kryera menjëherë pas njoftimit, pasditen e datës 15.03.2026, se në shkollën 9-vjeçare “Besëlidhja”, Lezhë, ishin vjedhur 16 laptopë, 2 videoprojektorë dhe serveri qendror i kamerave të sigurisë, si dhe ishin dëmtuar dyer të objektit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë mundësuan kapjen e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Në vijim, në kuadër të operacionit të koduar “Pajisjet”, u vu në pranga shtetasi A. B., 22 vjeç, si dhe u proceduan penalisht 5 të mitur të moshave 15-17 vjeç (3 prej tyre, nxënës në këtë shkollë), të cilët dyshohet se janë nxitur nga 22-vjeçari, për kryerjen e këtij krimi.

6 shtetasit dyshohet se rreth orës 01:00 të datës 14.03.2026, kanë hyrë në ambientet e shkollës “Besëlidhja”, kanë dëmtuar dyer e objektit, si dhe kanë vjedhur 16 laptopë, 2 videoprojektorë dhe serverin qendror të kamerave të sigurisë.

Më pas, 6 shtetasit kanë transportuar pajisjet, me automjetin e të arrestuarit, dhe i kanë fshehur ato, në bodrumin e një pallati aktualisht në ndërtim dhe në banesën e 22-vjeçarit. 16 prej pajisjeve të vjedhura u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin tip “Volksëagen”, me të cilin u transportuan.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit