Ilir Meta reagon pas kalimit për gjykim të dosjes ndaj tij: “Do çmontojmë publikisht të gjitha mashtrimet që ndodhen në fashikuj”

Gjykata e Posaçme ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të cilët akuzohen për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Meta, në një postim në Facebook, reagoi duke thënë se “u dokumentuan shumë gënjeshtra të akuzës gjatë këtij procesi”.

“Sidoqoftë, duke shprehur keqardhjen që humbëm 6 muaj kohë, edhe pse u dokumentuan shumë gënjeshtra të akuzës gjatë këtij procesi, mezi presim fillimin e gjykimit në themel dhe i ftoj të gjithë gazetarët dhe të gjithë trupin diplomatik në Tiranë që të ndjekin çdo seancë. Përfundimi i seancës paraprake na jep lirinë që të çmontojmë publikisht të gjitha gënjeshtrat, falsifikimet dhe mashtrimet që ndodhen në fashikuj”, u shpreh Meta.

Vendimi u mor pas pranimit të kërkesës së prokurorit Sotir Kllapi, ndërsa gjyqtarja Irena Gjoka përfundoi shqyrtimin e çështjes pas një procesi tetëmujor. Mbrojtja kishte kërkuar pushimin e çështjes ose kthimin e saj për hetim të mëtejshëm, por këto kërkesa nuk u pranuan.

“Dihet se e gjithë ‘Ramaforma’ ishte një drejtësi me regji, për të shtuar korrupsionin në përmasa skizofrenike në Shqipëri. Sot u shënua edhe një gjykim ‘me risi’. I paçuditur nga bllokimi recidivist i integrimit europian nga Edi Rama, i cili ka tmerr edhe nga drejtësia e tij”, e mbylli shkrimin e tij në Facebook ish-presidenti Meta.

Të Fundit