Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë, më 16 mars, në SPAK, si pjesë e masës së sigurisë ndaj tij për “detyrim paraqitjeje”, lidhur me çështjen e dosjes “Partizani”.
Gjatë një prononcimi për mediat, kryedemokrati i përcolli një mesazh kryeministrit Edi Rama, duke e paralajmëruar se dosja e tij nuk është e mbyllur dhe se populli do i tregojë vendin, duke e dërguar në bankën e të akuzuarve.
“Kurse, meqenëse jam këtu, i them Edi Ramës mos mendo se ke mbyllur dosjen tënde. Kurrë! Dosja jote nuk mbyllet kurrë, as me një Lubi, as me 5 Lubi. Bëj ç’të duash, të gjitha janë vetëm për Edi Ramën dhe absolutisht sovrani do të thotë fjalën e tij, do të jetë sovrani ai që do t’i tregojë vendin dhe do e çojë në bankën e të akuzuarve siç e meriton.”, u shpreh Berisha.
Mes të tjerash, kreu i PD-së foli për protestën e thirrur në datën 22 mars, duke iu bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë, pasi sipas tij kjo do të jetë kryengritja më e madhe paqësore që ka njohur vendi ynë.
“22 marsi është ditë frymëzimi për shqiptarët, është dita kur de facto me votë rrëzuan diktaturën më të egër që kishin njohur. 22 marsi është dita në të cilën shqiptarët ftohen në kryengritjen e tyre më të fuqishme paqësore që ka njohur Tirana dhe Shqipëria. Sot, çdo qytetari i them kaq, se fati i tij, fati i Shqipërisë është sot më shumë se kurrë në duart e qytetarëve.
Kjo është e vërtetë për aq sa është fat integrimi i Shqipërisë në BE se ai është fati më i mirë për Shqipërinë dhe për çdo qytetar. Pra, 22 marsi është një betejë për Europën, për rrugën evropiane. Është një betejë kundër një njeriu që për të mbrojtur vjedhjet e tij, iu mbylli shqiptarëve dyert e integrimit në BE. Këto dyer nuk mund t’i hapë askush, nuk mund t’i hapë asnjë vend, nuk mund t’i hapë asnjë institucion tjetër përveç qytetarëve shqiptarë, të cilët duhet të ngrihen fuqishëm në këtë betejë!”, u shpreh ai




