Kreu i PD Sali Berisha tha nga mbledhja e sotme e Kryesisë së PD, se Rama po përplaset me partnerët ndërkombëtarë, vetëm për të mbrojtur rrethin e tij të ngushtë familjar. Po ashtu kryedemokrati u shpreh se Rama po bën përpjekje për t’i zbardhur faqen Vuçiçit.
“E gjithë kjo përplasje e madhe me opozitën dhe partnerët ndërkombëtar bëhet vetëm për Ramën dhe rrethin e tij të ngushtë familjar. Çdo shqiptar paguan për vjedhjet e Ramës, njerëzve me të cilëve ka vjedhur, Lindës së tij, baxhanakut e me radhë. Si rrugëdalje ai ka zgjedhur shkelmimin haptas të interesit të çdo shqiptari, integrimin në BE, bllokimin e tij, dhe kërkesën që bëri me Vuçiçin për një integrim tregtar me BE-në, por jo paketa politike. Me çiftimin e Shqipërisë me Serbinë, Rama kreu një akt, ndër më të egrit armiqësor ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Berisha.
“Nisma Rama-Vuçiç ka mbështetje të pjesshme sepse ka anëtarë të BE-së që mendojnë se Shqipëria kurrë s’duhet të jenë anëtarë të BE”, tha Berisha. Ai u bëri thirrje vendeve anëtare “të informohen direkt nga përfaqësitë e tyre dhe Parlamentet e tyre të dërgojnë misione faktmbledhëse”.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PD, pritet të diskutohen një sërë çështjesh me rëndësi, nga protesta e 22 marsit, te procesi zgjedhor brenda PD.




