Nxënësit e viteve të para dhe të dyta në gjimnazin “Ismet Nanushi” në Durrës nuk po zhvillojnë mësim në gjuhën frënge prej muajit nëntor. Sipas tyre, mungesa ka ardhur, pasi mësuesja e frëngjishtes është me leje lindjeje dhe deri më tani nuk është gjetur një zëvendësues. Nxënësit thonë, se kanë zhvilluar mësim vetëm gjatë tremujorit të parë dhe më pas orët kanë mbetur pa zhvilluar, ndërsa frëngjishtja është gjuhë e parë e huaj dhe provim mature.Drejtori i shkollës, Munir Kaça, thotë, se institucioni ka bërë kërkesë për zgjidhje pranë autoriteteve arsimore, por deri tani nuk është gjetur një mësues, për ta zëvendësuar. Sipas tij, shkolla ka arritur të gjejë një zgjidhje vetëm për nxënësit e vitit të tretë, ndërsa për klasat e para dhe të dyta situata vazhdon.Nga ana tjetër, Burim Shehu, përgjegjës i Burimeve Njerëzore në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, deklaron, se është bërë thirrje përmes portalit dhe pranimit të dosjeve për të gjetur një mësues frëngjishteje, por deri më tani nuk ka pasur interes.Sipas ekspertit të arsimit Ndriçim Mehmeti, një situatë e tillë është problematike për nxënësit, pasi mungesa e mësimit për një periudhë kaq të gjatë është e vështirë të rikuperohet, sidomos kur bëhet fjalë për një gjuhë të parë të detyrueshme në provim mature.
Parlamenti votoi sot me 82 vota mos heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, ndërsa opozita protestoi brenda e jashtë sallës së Kuvendit. Deputetët demokratë mbajtën parulla për qeveri teknike e dorëheqje, ndërsa në tubimin e simpatizantëve, Berisha tha, se kryengritja paqësore e rradhës do të mbahet në 22 mars.
Dy shtetas shqiptarë, që jetojnë në Athinë, akuzojnë një bashkëkombas, se i ka mashtruar, duke u premtuar, se do t’u siguronte dokumente të rregullta qëndrimi. Sipas tyre, personi, që prezantohej si punonjës në zyrat e të huajve në Athinë, Rigels Alikaj, u ka marrë mijëra euro pa realizuar procedurat e premtuara.Një nga denoncueset tregon, se Rigelsi pretendonte, se mund t’u nxirrte dokumentet e lejeqëndrimit brenda tre javësh. Fillimisht kërkoi 5000 euro, por çifti i dha rreth 3300 euro. Sipas saj, ai refuzoi të firmoste një dokument, që vërtetonte marrjen e parave, duke argumentuar, se pagesa ishte në të zezë. Prova e vetme, që ata kanë, është një fotografi e pasaportës së tij.Pas një viti Alikaj i organizoi një takim për dhënien e shenjave të gishtave në Athinë. Pas kësaj procedure, ai ndërpreu çdo kontakt. Edhe një tjetër qytetar shqiptar pretendon, se është mashtruar nga i njëjti person. Ai thotë, se Alikaj i premtoi dokumente të rregullta për bashkëshorten, por pas muajsh pritjeje, ndërpreu komunikimin dhe mbylli telefonin. Sipas tij, Alikaj kishte marrë rreth 3500 euro dhe më pas kishte shitur edhe shtëpinë, ku jetonte. Ai shton, se dokumenti që i ishte dhënë bashkëshortes rezultoi i pavlefshëm në momentin, që ajo tentoi të udhëtonte përmes kufirit.




