Hyri në banesën e fqinjëve dhe i kanosi me pistoletë, arrestohet 62-vjeçari në Sarandë

Policia e Sarandës, mesditën e kësaj të enjteje, ka parandaluar një ngjarje kriminale mes fqinjësh. Sipas raportimeve, në pranga është vënë shtetasi Sh. K 62-vjeç, i cili kishte hyrë në shtëpinë e fqinjëve të tij dhe i kishte kërcënuar me pistoletë.

Mësohet se një depozitë uji është bërë shkak për grindjen mes dy fqinjëve, banorë të një pallati në lagjen nr. 4 në Sarandë. 62-vjeçari Shefki Kaçupi, në konflikt me fqinjën Sara Veli për shfrytëzimin e pjesës së përbashkët (tarracë) në pallatin ku banonin, shkoi në familjen Veliu me një pistoletë (armë e vjetër me mulli) në dorë, të cilën e kishte pa leje, dhe i ka kërcënuar ata.

Sakaq, ka qenë komshija ajo që ka njoftuar policinë. Pas kërcënimit, 62-vjeçari Shefki Kaçupi është larguar nga vendngjarja dhe u kap nga policia në rrugën e tretë të qytetit, pranë gjykatës.

“Pas njoftimit të një shtetaseje, se fqinji kishte hyrë i armatosur në banesën e saj, në lagjen nr. 4, dhe kishte kanosur atë dhe familjarët e saj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan menjëherë punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim neutralizimin e autorit.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shtetasi Sh. K. kishte kanosur fqinjët, me armë zjarri (pistoletë me mulli), si pasojë e mosmarrëveshjeve me ta, mbi shfrytëzimin e pjesës së përbashkët (tarracë) në pallatin ku banonin. Sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë me mulli)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit