Rritje të nxitura nga lufta në Iran, krijohet Task Forca për kontrollin e çmimeve të karburanteve

Ministria e Financave ka vendosur të krijojë një Task Force të përbashkët mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, e cila do të monitorojë sektorin e hidrokarburve për të parandaluar rritjet abuzive të çmimeve të karburanteve.

Në një takim të zhvilluar me drejtuesit e dy institucioneve, Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe Drejtorët e Përgjithshëm, Ilir Binaj (Tatimet) dhe Besmir Beja (Doganat), u dakordësua plani operacional për ngritjen e këtij grupi. Task Forca do të përqendrohet në tregtinë me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve, duke monitoruar si dokumentacionin tatimor e doganor, ashtu edhe sasitë fizike të karburanteve që tregtohen.

Ministri Malaj theksoi se ngritja e këtij grupi vjen edhe si pasojë e zhvillimeve ndërkombëtare, përfshirë konfliktin midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, që ka ndikuar në çmimet globale të hidrokarbureve.

“Kemi marrë shkas për ngritjen e këtij grupi operacional nisur edhe nga konflikti më i fundit midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, konflikt që ka ndikuar në çmimet e hidrokarbureve. Çmimet do të jenë në monitorim nga këto dy institucione, në mënyrë që të mos kemi rritje abuzive të tyre në sektorin e tregtimit të hidrokarbureve me shumicë apo dhe me pakicë”, tha Malaj.

Ai shtoi se kontrolli do të përfshijë vlerësimin e riskut të operatorëve dhe mbledhjen e informacionit nga tregu për abuzimet e mundshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin, duke krijuar grupe të përbashkëta kontrolli me Drejtorinë e Tatimeve, në mënyrë që çdo aktivitet tregtar të jetë në përputhje me ligjin dhe çdo shitje të regjistrohet fiskalisht.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, njoftoi se tashmë është nisur analiza e riskut dhe se përvoja nga operacionet e mëparshme ka ndihmuar në identifikimin e problematikave konkrete në këtë sektor. Objektivi është të rritet formalizimi dhe të sigurohet funksionimi i rregullt i tregut të hidrokarbureve gjatë një periudhe të gjatë kohore.

Ministria e Financave theksoi se qëllimi i këtij operacioni është miradministrimi tatimor dhe doganor, gjithmonë në dobi të qytetarëve shqiptarë.

Të Fundit