Më 8 gusht 2021, në urën e fshatit Polenë pranë Korçës, një aksident automobilistik i mori jetën të riut Andrea Zade, i cili udhëtonte në të njëjtën makinë me kushëririn e tij, Sadik Bardhollari, pronarin e automjetit. Sipas deklarimit të Bardhollarit, ai ishte ndjerë keq dhe ia kishte lënë drejtimin e makinës Andreas. Familjarët e viktimës, nëna Adela Zade dhe vëllai Erando Zade, dyshojnë në këtë version, duke theksuar, se sedilja e pasagjerit ishte e mbuluar me gjakun e Andreas, ndërsa Sadiku kishte vetëm dëmtime të lehta. Dëshmitarët e parë kanë deklaruar, se Bardhollari ndodhej në vendin e pasagjerit dhe Andrea mbi të pas aksidentit. Prokuroria e Korçës e konsideroi fajtor Bardhollarin, por Gjykata e Korçës e shpalli të pafajshëm, duke arritur në përfundimin, se drejtues i automjetit ishte vetë viktima. Eksperti kriminalistik Vladimir Ikonomi dhe avokati Arben Llangozi kërkojnë rishqyrtim të provave shkencore, veçanërisht analizës së njollave të gjakut, nga Gjykata e Apelit.
Dje ishte 8 marsi, festa e gruas. Sic është bërë traditë në vendin tonë, gratë nuk protestojnë, por festojnë.Ne dolëm dhe i pyetëm, sesi e kishin menduar gratë festën e tyre, madje edhe u bëmë disa dhurata simbolike dhe me humor për ditën e shënuar.
Disa ditë më parë transmetuam problemin e zotit Rushit Myrtollari, banor i fshatit Porodinë në Korçë, që u ankua, pasi shtëpia e tij e vjetër nuk po legalizohet, ndërsa objekti i ri i ndërtuar në vitin 2013, është pajisur me leje legalizimi. Sipas tij, matjet për të dy objektet janë kryer në vitin 2024, por për ndërtesën e vjetër, i është thënë, se nuk rezulton në sistem.Në një përgjigje të vitit 2021 nga Drejtoria e Kadastrës Korçë thuhet, se qytetari nuk disponon dokument ligjor pronësie për objektin e vjetër dhe parcelën përkatëse. Gjithashtu, për fshatin Porodinë nuk rezulton “lista 001” e trojeve dhe shtëpive, ç’ka ka bllokuar vijimin e procedurës.Pas interesimit, në Kadastër u sqarua, se për shkak, se fshati nuk është konfirmuar më herët nga ish-komuna, nuk mund të ndiqet procedura standarde e listës së trojeve. Ne u rikthyem në Korcë dhe rezulton, se shkresa ka shkuar në dhjetor, por është bërë një lapsus nga juristi, pasi kërkesa në vend të shkonte në njësinë Bulgarec, ku është qytetari për konfirmim, i është dërguar Vithkuqit.Vec lapsusit, as nga njësia Vithkuq nuk është kthyer përgjigje, që ky qytetar nuk i përket asaj njësie.




