Rushit Myrtollari, banor i fshatit Porodinë në Korçë, ankohet, pasi shtëpia e tij e vjetër nuk po legalizohet, ndërsa objekti i ri i ndërtuar në vitin 2013, është pajisur me leje legalizimi. Sipas tij, matjet për të dy objektet janë kryer në vitin 2024, por për ndërtesën e vjetër, i është thënë, se nuk rezulton në sistem.Në një përgjigje të vitit 2021 nga Drejtoria e Kadastrës Korçë thuhet, se qytetari nuk disponon dokument ligjor pronësie për objektin e vjetër dhe parcelën përkatëse. Gjithashtu, për fshatin Porodinë nuk rezulton “lista 001” e trojeve dhe shtëpive, çka ka bllokuar vijimin e procedurës.Pas interesimit, në Kadastër u sqarua, se për shkak se fshati nuk është konfirmuar më herët nga ish-komuna, nuk mund të ndiqet procedura standarde e listës së trojeve. Institucioni pritet të marrë një vendim për të vijuar me legalizimin sipas VKM-së përkatëse, ndërsa qytetarit i është komunikuar, se duhet të presë.




