Mojtaba Khamenei, djali i dytë i Atajollahut Ali Khamenei, është raportuar se është zgjedhur si lideri suprem i Iranit, duke pasur babain në këtë post, pasi ai u vra nga sulmi i SHBA dhe Izrael në Iran.
Ndërkohë që autoritetet iraniane nuk kanë bërë ende një njoftim zyrtar, media izraelite dhe perëndimore raportojnë se Mojtaba, i njohur për qëndrimet e tij të forta konservatore, është emëruar për të marrë rolin e udhëheqësit suprem të Iranit, një pozicion ky që drejton vendin prej 47 vjetësh.
Sulmi shkaktoi vdekjen e nënës së tij, bashkëshortes dhe njërës prej motrave të tij, ndërsa Mojtaba thuhet se nuk ishte i pranishëm dhe deri më tani ka shpëtuar nga bombardimi i ashpër.
Pasuria dhe jetesa jashtë vendit e Khameneit
Raportime të fundit për Mojtaba kanë tërhequr vëmendjen, pasi ai ka jetuar kryesisht larg syrit të publikut. Sipas një investigimi të Bloomberg, djali i ish-udhëheqësit iranian zotëron dy apartamente luksoze në Kensington, Londër Perëndimore, me pamje nga Ambasada Izraelite, duke ngritur shqetësime për sigurinë. Vlera e pronave supozohet të tejkalojë 50 milionë paund.
Apartamentet ndodhen në katin e gjashtë dhe të shtatë, me hapësira ndihmëse në katin përdhes, vetëm pak metra larg Pallatit të Kensingtonit, rezidencës zyrtare të princit William dhe Kate Middleton. Mojtaba, 56 vjeç, i zotëron këto prona që nga viti 2014.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Khamenei zotëron 11 shtëpi luksoze në Hampstead, veri i Londrës, përmes një kompanie- fiktive të regjistruar në Ishullin e Manit. Portofoli i tij ndërkombëtar i pasurive të patundshme vlerësohet në qindra milionë paund.
Dyshime për survejim ndaj Ambasadës Izraelite
Zbulimi se Mojtaba Khamenei, anëtar i lartë i Gardës Revolucionare Islamike, ka prona me pamje nga Ambasada Izraelite ka ngritur frikën se këto prona mund të jenë përdorur për aktivitete spiunazhi.
Ky zhvillim vjen pas arrestimit të katër iranianëve në veri të Londrës të premten në mëngjes, të dyshuar për spiunazh në favor të shërbimeve iraniane të inteligjencës. Të arrestuarit, iranianë dhe britanikë-iranianë me dy shtetësi, dyshohen për mbikëqyrje të hapësirave dhe individëve hebrenj, përfshirë sinagogat dhe besimtarët e mundshëm.




