Në daljen e saj të fundit si zv/kryeministre dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nuk përmbajti emocionet gjatë fjalimit të saj, teksa prezantoi ministrin e ri, Enea Karakaçi.
Gjatë fjalës së saj, Balluku falenderoi kryeministrin e vendit, Edi Rama. Teksa shtoi se gjatë gjithë punës dhe karrierës së saj në politikë është munduar që të ndjekë shembullin e tij.
“Dua të përfitoj nga rasti që të falenderoj kryeministrin Rama për gjithë besimin që më ka dhënë në këto vite, por mbi të gjitha për shembullin që ka dhënë gjithë këto vite. Të ndjekim shembullin, se si punohet me ty, se si ti u jep besim dhe atë besim ta kthejnë në rezultate.
Jam munduar të ndjek shembullin e tij me ju. Dhe me thënë të drejtën është shkolla më e mirë, ku kanë dalë drejtues të aftë, politikë që sakrifikojnë pa asnjë lloj dyshimi për të mirën e madhe. Unë do desha që të mos thoja më tepër për Enean sepse ju e njihni më shumë se unë. I ka prekur të gjitha nivelet e drejtimit, derisa shkoi në ndërmarrjen më të madhe, OSHEE”, u shpreh Balluku.
Kujtojmë se Belinda Balluku u shkarkua nga posti si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, pas ndryshimeve që kryeministri Edi Rama bëri në kabinetin e tij qeveritar. Ditën e djeshme u votuan në Kuvend edhe ndryshimet në qeveri.
Belinda Balluku u shkarkua me 85 vota pro nga posti i Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa Elisa Spiropali nga posti i Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme me 83 vota pro. Dekreti për shkarkimin e Pirro Vengut si Ministër i Mbrojtjes u miratua me 81 vota.
Ndërkohë, mëngjesin e kësaj të premteje, 6 mars, ministrat e rinj u betuar përpara Presidentit të Republikës Bajram Begaj. Albana Koçiu u emërua zv/kryeministre. Ferit Hoxha ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Toni Gogu u emërua ministër i Drejtësisë. Besfort Lamallari, Ministër i Brendshëm. Ermal Nufi u emërua ministër i Mbrojtjes. Enea Karakaçi, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Erjona Ismaili u emërua ministre Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin.



