Në Librazhd, në Lagjen nr. 2, Elton Rruplli prej 11 vitesh përballet me një problem të vazhdueshëm, tymin, që i vjen nga oxhakët e fqinjëve, Shefki Bahiti dhe Liza Blloshmi. Eltoni tregon, se për këtë arsye, nuk mund të hapë as dritaret e tij. Sipas Eltonit, oxhakët janë nën parametrat teknikë, më pak se një metër të lartë. Ai thotë, se u përpoq ta zgjidhte me mirëkuptim këtë problem, madje ofroi të paguante vetë zgjatjen e tubave, por nuk gjeti dakordësi. Ankesat në Bashki dhe Policinë Bashkiake mbetën pa zgjidhje.Pas ndërhyrjes së gazetares së emisionit “Stop”, njëra familje pranoi të ndërhynte, ndërsa Bashkia, me mbështetjen e kryetarit Maringlen Disha, ngriti një grup pune në terren. Dy familjeve iu la afat 1 javë për rregullimin e oxhakëve sipas standardeve.Në fund, Elton Rruplli falënderoi publikisht “Stop”, duke theksuar, se një problem 11-vjeçar mori zgjidhje brenda pak ditësh.




