Ilir Proda shkarkohet nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

Ilir Proda është shkarkuar nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit sot, 1 mars. Siç raporton Klan News, vendimi u mor pas protestës së opozitës.

Ai mësohet se është shkarkuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama, një ditë pasi Policia e Shtetit nuk arriti të sigurojë rendin dhe qetësinë publike.

Ndërkohë në krye të Policisë së Shtetit është komanduar Sokol Bizhga, i cili prej vitit 2022 mban detyrën e zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Proda u emërua si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 2 tetor të vitit 2024. Më herët, ai ka mbajtur detyra si specialist i policisë kriminale, shef komisariati nr. 2 në Tiranë dhe Bulqizë si dhe drejtor i Policisë së Elbasanit.

Kujtojmë se në protestën e zhvilluar nga opozita më 28 shkurt nuk munguan molotovët dhe mjetet piroteknike drejt institucioneve.

Incidenti më i rëndë u shënua në Vilën 31 ku u hodhën bomba molotov të cilat rrezikuan sigurinë e personave që ndodheshin brenda godinës që shërben si selia e fondacionit Art Explora.

Si pasojë e shpërthimeve u shkaktuan edhe dëmtime në godinë. Në lidhje me këto akte janë arrestuar katër persona.

Të Fundit