“Jemi në një udhëkryq”, Rama në mbledhjen e grupit: Sot po sprovohet aftësia jonë udhëheqëse

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama tha në fjalën e mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar se Partia Socialiste dhe vendi ndodhet sot në një situatë komplekse dhe në një udhëkryq të ri.

Sipas kreut të qeverisë, sot po sprovohet aftësia udhëheqëse, pjekuria politike dhe shoqërore e PS dhe gjithë vendit.

“Dua të ndaj këtu me ju, duke përfituar edhe nga prania e publikut përmes mediave, opinionin që kam krijuar lidhur me situatën komplekse ku ndodhemi jo thjesht ne, por vendi ynë sot. Pas një fitoreje historike nga ana jonë, pas çeljes së të gjithë kapitujve të BE-së në një kohë rekord, si edhe pas zhvillimeve që sillen me fatin e reformës së drejtësisë, rrugës ekonomike, qëndrueshmërisë politike etj. Për hir të së vërtetës, besoj se duhet të shohim së bashku se jemi në një udhëkryq të ri. Ekonomia po ecën në një rrugë të qëndrueshme, e cila në harkun e 35 viteve është e pakrahasueshme me vitet e mëparshme. Ndërkohë që projektet në zhvillim apo në plan për këtë mandat janë më të shumta dhe më domethënëse nga impakti, udhëkryqi ku ndodhemi sot paraqet sipas meje disa rreziqe, ku duhet një adresim i vendosur dhe një disiplinë nga ana jonë dhe, kur them disiplinë, e nis me ne këtu, sepse përndryshe Shqipëria rrezikon të bëjë vend numëro nga gjithçka që kërkon amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Çdo vendnumëro për Shqipërinë sot është rënie e trendit të fuqisë ekonomike apo respektimit të vendit ndërkombëtarisht. Rreziku që ne të bëhemi irrelevant qëndron në momentin kur ne jemi më relevantë se asnjëherë. Ky nuk është një udhëkryq dilemash strategjike apo raportesh të ndryshuara të forcave, por erëra që rrezikojnë të na mpijnë dhe ne të rrëzohemi me këmbët tona. I ka ndodhur më parë në të tjera vende dhe partive më të mëdha. Sot po sprovohet faktikisht aftësia jonë udhëheqëse, pjekuria politike dhe shoqërore. E para e familjes sonë politike, por edhe krejt vendit”, tha Rama.

Të Fundit