Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali në konferencë me homologun e Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se Shqipëria do ta ngrejë kudo zërin që ish krerët e UÇK-së të marrin drejtësi në Hagë.
Spiropali theksoi se me pretencën e dhënë nga prokurorët, nuk është bërë drejtësi, ndërsa deklaroi se nuk duhet të shkelen standardet ndërkombëtare ligjore.
Kur u pyet se kush i ka mbrojtur më shumë ish krerët e UÇK-së në drejtësinë e tyre, Kosova apo Shqipëria, Spiropali u shpreh “se nuk jemi në garë”.
“Ne nuk jemi në garë se kush i ka mbrojtur më shumë të drejtat, por jemi në test të koordinimit dhe harmonizimit të qëndrimit tonë jo vetëm drejtësisë ndërkombëtare në Hagë, por edhe qëndrimit tonë kombëtar mbi luftën e UCK dhe mbi legjitimitetin e asaj lufte dhe mbi të drejtën e këtij populli për të mbrojtur me forcë të drejtën ndërkombëtare në nivele më të larta. Këtë e kemi bërë dhe do ta bëjmë. Shpresojmë që gjykatësit në Hagë ti përgjigjen thirrjes së drejtësisë dhje jo thirrjes së prokurorëve që ne gjykojmë se në nuk i kanë bërë drejtësi me pretencën e tyre. Ne do ta ngrenë zërin kudo, ashtu si Rama bëri në Bordin e Paqes, në KiE dhe kudo tjetër”.
Ajo theksoi se nuk ndërhyjnë në proceset gjyqësore, por deklaroi se drejtësia duhet të jetë e plotë.
“Sot në Hagë përballen me drejtësinë udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Emrat e tyre janë të njohur për çdo qytetarë të Kosovës. Ne nuk ndërhyjmë në proces dhe nuk paragjykojmë asnjë proces gjyqësorë, por kemi obligim moral të themi që drejtësia do të jetë drejtësi e plotë, pa shkelje të standardeve ndërkombëtare ligjore, pa shkelje të të drejtave të njeriut, jo drejtësi e pjesshme”, tha ndër të tjera ministrja.




