Bllokimi i juglindjes, aksi Librazhd-Përrenjas! Kreu i Doganave: Ja dy pikat kufitare që do të përdoren

Besjan Beja, kreu i Doganave Shqiptare, pas mbledhjes së Këshillit Teknik të mbajtur këtë të martë, ka folur në një konferencë për mediat. Beja, i shoqëruar nga drejtuesit kryesorë të autoriteteve përgjegjëse për menaxhimin e situatës emergjente të krijuar nga bllokimi i aksit Librazhd-Përrenjas, ka bërë me dije se cilat pika kufitare do të përdoren.

Ai tha se lëvizja e automjeteve do të realizohet përmes pikave doganore të Bllatës dhe Kakavijës.

“Për situatën e krijuar, do të përdoren pikat kufitare të Bllatës dhe Kakavijës. Mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë karburant dhe kafshë do të përdorin pikën kufitare të Kosovës dhe nuk do të lejohen të hyjnë në Maqedoninë e Veriut,” tha Beja.

Nga ana tjetë ai shtoi:

Që në momentin e krijimit të situatës, strukturat doganore kanë trajtuar me prioritet shqetësimin e bizneseve dhe pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve. Për të shmangur pengesat në procedurat doganore, janë orientuar alternativa të reja lëvizjeje përmes pikave kufitare:
• Bllatë (Dibër), për mallrat që hyjnë nga Republika e Maqedonisë së Veriut apo përmes saj;
• Kakavijë, për mallrat që hyjnë nga Greqia apo përmes saj.

Janë ndërmarrë masa për përforcimin e kapaciteteve logjistike dhe shtimin e personelit në degët kufitare Bllatë dhe Kakavijë, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar dhe përshpejtimin e procedurave, deri në normalizimin e situatës rrugore.

Në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet homologe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, është siguruar mirëkuptim i plotë për lehtësimin e qarkullimit. Pala maqedonase do të mundësojë në pikën e Bllatës:
• Kalimin e kamionëve dhe trajlerave të ngarkuar nga ora 12:00–22:00;
• Kalimin 24 orë të mjeteve pa ngarkesë;
• Kalimin e produkteve agro që kërkojnë certifikim.

Po ashtu, Dogana shqiptare vijon kontaktet edhe me palën kosovare për të mundësuar lehtësime të mëtejshme në hyrje-daljet e mjeteve dhe mallrave.

Sa i përket mallrave që kanë hyrë tashmë në territorin doganor shqiptar përmes Qafë-Thanës dhe ndodhen në aksin e bllokuar apo në ambientet doganore, zgjidhja teknike e ofruar është përdorimi i regjimit të Transitit të Jashtëm (T1), sipas Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë. Ky regjim lejon tranzitimin e mallrave nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar.

Konkretisht, operatorët duhet të depozitojnë deklaratën doganore T1 në degën doganore Qafë-Thanë, me destinacion Bllatën (Dibër), si dhe të hartojnë një dokument transporti (CMR) për itinerarin e ri.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është e vetëdijshme për kostot shtesë që kjo situatë sjell për operatorët ekonomikë, si dhe për ndikimin në proceset e import-eksportit. Megjithatë, të gjitha strukturat janë angazhuar maksimalisht për të minimizuar pasojat dhe për të garantuar funksionimin sa më normal të aktivitetit tregtar.

Të Fundit