Një qytetare denoncon në “Stop” djalin e tezes, gjyqtarin e Sarandës Donald Kota, i cili, sipas saj po bën vetëgjyqsi për një pronë. Gjithçka lidhet me një pronë të trashëguar nga familja Kokonozi në vitin 1992. Prona rezulton e pandarë mes 28 bashkëpronarëve. Në mungesë të një ndarjeje zyrtare, familja e tezes së gjyqtarit, ka poseduar në mirëkuptim rreth 200 metra katrorë, sipërfaqje, që prej 17 vitesh e ka dhënë me qira si biznes lavazhoje, me kontratë të rregullt.Sipas denoncimit, situata ka ndryshuar së fundi. Ajo thotë, se gjyqtari Donald Kota është paraqitur në ambientet e biznesit, pa një komunikim paraprak me tezen, apo vajzën e saj dhe u ka kërkuar qiramarrësve të lirojnë ambientin, duke deklaruar, se ai është pronari dhe se nëse duan të vijojnë aktivitetin, qiranë duhet t’ia paguajnë atij.Konflikti ka agravuar deri në praninë e forcave të policisë. Sipas pamjeve të siguruara, në video dëgjohet një komunikim i ashpër dhe me tone agresive ndaj qiramarrësve, që prej 17 vitesh ushtrojnë aktivitetin në atë pronë.Ish-prokurori Ervin Karanxha ka shpjeguar se, nëse një person pretendon të drejtën e pronës, zgjidhja duhet të kalojë përmes gjykatës dhe jo përmes veprimeve të drejtpërdrejta që mund të konsiderohen vetëgjyqësi. Ai ka theksuar gjithashtu, se për një gjyqtar, standardi etik është edhe më i lartë, pasi figura e tij lidhet drejtpërdrejt me besimin publik tek drejtësia.
Juglindja e vendit është izoluar, pasi prej mesditës së të shtunës është bllokuar qarkullimi në rrugën nacionale Librazhd Pogradec. Ky është një aks, që lidh Korçën, Pogradecin e gjithë juglindjen e vendit me qytetin e Elbasanit dhe Tiranës. Po kështu janë bllokuar edhe lëvizjet drejt doganave në Qafë-Thanë dhe Kapshticë. Arrsh ndaloi lëvizjen e automjeteve, përfshirë vetura, autobusë dhe kamionë, për shkak, se rruga ka çeduar për shkak të gërryerjes nga lumi Shkumbin.
Në tetor të vitit të kaluar trajtuam problemin e qytetarit Bashkim Çuku nga Elbasani. Ish-ushtaraku, kishte përfituar për vite me radhë pension ushtaraku, por pas mbushjes së moshës së pensionit të pleqërisë, u shpall debitor me 10 milionë lekë, duke u akuzuar për përfitim të padrejtë. Ai iu drejtua Gjykatës Administrative të Durrësit, ku e fitoi çështjen, por vendimi u apelua dhe dosja mbeti prej 5 vitesh në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.Pas interesimit tonë pranë gjykatës dhe transmetimit të rastit, Bashkimi na njofton, se procesi përfundoi dhe madje edhe detyrimi i ngarkuar iu hoq, në një kohë rekord.




