Gjyqi ndaj Laert Haxhiut, reperi Noizy thirret në GJKKO

Më 23 shkurt, është thirrur në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO) Rigels Rajku, ose siç e njohim të gjithë, reperi Noizy.

Siç raportohet, ai do të paraqitet si viktimë e veprës penale, pas ngjarjes së ndodhur në ambientet e lokalit dhe dyqanit të tij në Durrës, të cilit iu vendos lëndë plasëse në qershor të vitit 2022. Pjesë e procesit mund të jenë edhe babai dhe motra e tij.

Megjithatë, sipas procedurës, ata kanë të drejtën të përfaqësohen nga avokatë ose të mos marrin pjesë në proces, ndërsa gjykata është e detyruar t’i njoftojë për të njohur procesin dhe për mundësinë për të folur në gjyq.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion, tritoli u vendos me urdhër të Laert Haxhiut, i akuzuar për një sërë veprash kriminale, pas sherrit të Noizy-t me një tjetër reper, Kleviol Ahmeti, i njohur me pseudonimin Cllevio Serbiano.

Asokohe, në rrjetet sociale doli edhe videoja kur Noizy pati një sherr fizik me Cllevio-n, duke i shkaktuar mpiksje gjaku në kokë.

Ishte i penduari i drejtësisë Artan Tafani ai i cili zbuloi porositësin e vënies së tritolit, Haxhiun, i cili nuk kishte hezituar pasi kishte parë dhunën e ushtruar ndaj shokut të tij, Cllevio-s.

Haxhiu, është dënuar me burg përjetë për atë që njihet si Masakra e Lushnjes, ngjarje e ndodhur në 2017-ën.

Më 4 tetor 2025, Prokuroria e Posaçme çoi në gjyq Laert Haxhiun dhe dy të tjerë të akuzuar si të përfshirë në vrasje e disa ngjarje të tjera kriminale.

Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK tha se Haxhiu, në rolin e drejtuesit të grupit, është pjesëmarrës dhe porositës i tre vrasjeve: ekzekutimit të Çajup Selimit në Tepelenë, Fridman Xhaferrajt në Korçë dhe Alban Semakut në Peqin.

Të Fundit