Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi sot nga konferenca për mediat qeverinë për shembjen e të gjitha rrugëve në të gjithë vendin dhe veçanërisht izolimin e juglindjes pas shembjes së aksit kombëtar Pogradec-Librazhd prej tre ditësh.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe zv/kryeministren Belinda Balluku si autorët dhe përgjegjësit kryesore të këtij skandali, duke theksuar se nuk shemben nga natyra apo moti, por nga dora e njeriut dhe aferat korruptive, pas ndarjes së parave me kontraktorët.
Ai nënvizoi se rrugët po shemben sikur të ishin ndërtuar me kashtë, kurse Rama bën udhëtime me 2 helikopterë drejt Korçës, me kosto 15 mijë euro për secilin.
“Ajo që po ndodh në të gjithë juglindjen e vendit është dëshmia më flagrante se si korrupsioni mund të godasë pothuaj një të tretën apo një të katërtën e shqiptarëve. Prej tre ditësh e gjithë juglindja e vendit është e dënuar nga një shembje e krijuar absolutisht nga dora kriminale e njeriut të korruptuar. E pabesueshme, është një shembje e rrugës dhe urës që s’mund të ndodhte kurrë nëse nuk do t’i gërryenin lumin dhe mbështetjen e saj në skrapatën e rrugës. Pa asnjë model është ndërhyrë në lumë dhe është shembur ura, hekurudha dhe rruga, shembje që s’kanë asnjë lidhje, as mbipesha dhe as moti, por janë krejtësisht nga dora e njeriut”, tha kreu i selisë blu mes të tjerash.
Teksa i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për situatën më të fundit me rrugët dhe shembjet ai shtoi se nuk ka aks në çdo cep të vendit që nuk po dëmtohet dhe të gjitha janë të ndërtuara nga dyshja Balluku-Rama:
“Nuk ka mbetur segment rruge të ndërtuar nga dyshja Rama-Baluku që të mos jetë shembur. Shembet rruga Kuç-Fterrë e lumit të Vlors, shembet rruga në një fshat tjetër në Korçë, shemben në të katërt anët e vendit, sikur të ishin të ndërtuara me kashtë, e jo me strukturat e duhura të ndërtimit. Të gjithë vepra të korrupsionit”.
Berisha apeloi që organet e drejtësisë të veprojnë dhe të arrestojnë përgjegjësit për këtë situatë, sepse shtoi se “rrugët po shemben sikur t’i kishin ndërtuar alienët”.
“Ajo që është më dramatike është heshtja kriminale e organeve të prokurorisë, asnjë të arrestuar, asnjë të marrë në ndjekje, të gjitha rrugët pa përjashtim të shembura. Shembet unaza e Burrelit, Rruga e Arbrit, shembje, shembje dhe kudo vetëm shembje, sikur ato i kanë ndërtuar alienët dhe jo kompani të ndërtuara nga qeveria me paratë për kontraktuesit. Paratë janë ndarë me qeveritarët”, u shpreh lideri i opozitës.
Në fund ai akuzoi kryeministrin për shpenzime të mëdha nga buxheti, edhe për udhëtimet e tij, duke denoncuar se vetëm “bileta e mëngjesit të sotëm kushtoi 30 mijë euro” pas fluturimit me dy helikopterë. Ai bëri thirrje qytetarëve të Korçës që ta gjuajnë me vezë e domate kreun e ekzekutivit.
“Kurse Rama vetë udhëton në Korçë me 15 mijë euro udhëtimi, ka shkuar me 2 helikopterë, janë 30 mijë euro, 15 mijë euro për çdo helikopter, 30 mijë euro bileta etij e mëngjesit. Bëj thirrje qytetarëve të Korçës që ta gjuajnë me vezë e domate, po, me vezë dhe domate ndaj këtij hajduti”.




