Të tjera detaje mësohen lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi Kavajën këtë të shtunë, ku një 48-vjeçar u vra me thikë.
Raportohet se sherri kishte nisur pasi Skerdilajd Isufi kishte parkuar automjetin para banesës së shtetasit me inicialet L.D alias L.P, 48-vjeç.
Ky i fundit ka dalë nga banesa dhe i ka kërkuar Isufit të largojë makinën, çka ka sjellë nisjen e një konflikti verbal mes tyre.
Gjatë debatit, viktima, Skerdilajd Isufi, dyshohet se i është përgjigjur në mënyrë të ashpër autorit. Në atë moment, L.P ka nxjerrë një mjet prerës (thikë) dhe e ka goditur viktimën dy herë në pjesën e zemrës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:22 në lagjen nr.3 të qytetit. Ndërkohë autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit, duke ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit.
Sjellim ndërmend se kjo është vrasja e dytë me thikë që ndodh brenda 24 orësh në vend, pasi një ditë më parë pas një sherri në Tiranë, viktimë mbeti 31-vjeçari Egli Pashollari.



