Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e ish-deputetit, Jurgis Çyrbja për të dalë nga burgu: Ka edhe disa orë për të shlyer

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar këtë të premte ka rrëzuar kërkesën e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja për të dalë nga burgu pasi ka përfunduar dënimin. Sipas togave të zeza ai ka edhe disa orë për të shlyer në burg deri rreth mesnatës. Ai pritet të lirohet në ditët në vijim.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më datë 20.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 73 akti, datë 18.02.2026 regjistrimi, mbi kërkesën e të pandehurit J.Ç, me objekt:

“Shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktuar me vendimin nr. 126, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, verifikuar me vendimin nr. 129, datë 22.10.2024 të kësaj gjykate, për shkak të përfundimit të dënimit të dhënë me vendimin nr. 68, datë 03.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si vijon:

– Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit J.Ç. U shpall në Tiranë, sot më datë 20.02.2026”, thuhet në njoftim.

Ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja u arrestua më datë 28 tetor të vitit 2024. Çyrbja u shpall fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe u dënua me 3 vjet burg. Dënimi i tij zbriti në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ai akuzohet për veprat penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë, “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë si dhe për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Çyrbja sipas akuzave informonte Altin Hajrin dhe persona të tjerë që kërkoheshin nga autoritetet shqiptare, në rast se do kishte operacione policore për kapjen e tyre në Durrës.

Në këmbim, Çybrja kërkonte vota për kandidimin e tij në qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Lidhur me këtë çështje, u arrestua edhe Ahmet Masha.

Të Fundit