Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka theksuar sërish mbështetjen e Romës për integrimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimi Evropian, duke nënvizuar se ky proces duhet të shihet si një “ribashkim” dhe jo thjesht si zgjerim.
Gjatë pjesëmarrjes në ministerialin me temë “Korridori VIII në momentin strategjik të Europës: Ndërlidhje dhe Qëndrueshmëri përmes Mobilitetit Ushtarak, Prosperitet i Përbashkët përmes Integrimit”, Tajani vuri në dukje se vendet e rajonit janë pjesë e pandashme e Europës dhe integrimi i tyre paraqet një përparësi strategjike.
Ai theksoi rëndësinë e Korridorit VIII si një nismë që ndihmon afrimin e Ballkanit me Bashkimin Evropian, duke shtuar se Italia do të angazhohet maksimalisht për avancimin e këtij procesi.
“Ju jeni europianë, ky është një ribashkim, ashtu siç ka ndodhur më parë me Rumaninë dhe Bullgarinë. Është më mirë të flasim për ribashkim. Më 30 mars do të kemi një takim me grupin e Ballkanit. Rajoni ka potencial të jashtëzakonshëm ekonomik, kompanitë italiane janë të gatshme të investojnë këtu, dhe Korridori VIII mbetet prioritet i Romës,” u shpreh Tajani.



