Rreth një muaj më parë, Trëndelina Bufi rrëfeu në “Stop” kalvarin, për të siguruar përkujdesje për vëllain, Agron Bufi, i cili pas një aksidenti të rëndë, mbeti i varur nga ndihma e të tjerëve. I braktisur nga fëmijët, Agroni u dërgua fillimisht në një azil në Tiranë, ku qëndroi për rreth tre vite. Pagesat kryheshin nga të afërmit, por mungesa e vizitave familjare, ndikoi rëndë në gjendjen e tij psikologjike. Trëndelina e transferoi vëllanë në qendrën “Vila e Rrokut”, ku sipas saj, ai u rrëzua dy herë dhe përfundoi në karrocë. Ajo vendosi ta largojë Agronin nga kjo qendër, ku edhe për gazetaren tonë punonjësit shmangën dhënien e informacionit.Më pas, Agroni u zhvendos në Tiranë, por as aty situata nuk u përmirësua. Një azil i dytë mori pagesën për muajin janar, duke pretenduar, se dy javët e fundit të dhjetorit ishin falas, ndërkohë që gjendja e Agronit u përkeqësua. Në dhjetor 2025, Trëndelina u detyrua ta marrë vëllanë në shtëpinë e saj.Një tjetër azil, në zonën e Saukut, kërkoi pagesë për ditët e dhjetorit, megjithëse punonjësit nuk dinin as emrin tregtar të qendrës. Drejtoresha Agetina Hidershaj pranoi, se marrëveshja ishte për janarin 2026, por këmbënguli për pagesën e 17 ditëve. Avokati Artur Meça, që rezulton pronar i institucionit, premtoi kthimin e një pjese të shumës, por transferta nuk u krye. Pas transmetimit tonë, azili i i fundit i ktheu paratë zonjës dhe emisioni “Stop” në bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror, bënë të mundur akomodimin e Agronit në Azilin Shtetëror të Kavajës.



