Osmani: UÇK-ja, ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë fjalës së saj nga Kuvendi në seancën solemne lidhur me 18-vjetorin e Pavarësisë u shpreh se UÇK-ja është zemra e rezistencës dhe përgjigjja e një populli të shtypur ndaj regjimit serb.

Ajo theksoi se përpjekjet për të njollosur UÇK-në janë të padrejta dhe të papranueshme. Osmani shton se përpjekjet për të barazuar luftën çlirimtare me krimet gjenocidiale serbe dëmtojnë themelet e paqes afatgjatë në rajon.

“UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Ajo është zemra e rezistencës sonë kombëtare dhe përgjigjja e një populli të shtypur ndaj një regjimi gjenocidial. Kjo luftë ishte gjithnjë e drejtë, gjithnjë e pastër, dhe gjithnjë e domosdoshme.

Çdo përpjekje për ta njollosur atë, për ta relativizuar apo për ta barazuar viktimën me agresorin, është jo vetëm e padrejtë, por edhe historikisht e pavërtetë dhe tërësisht e papranueshme.

Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sot gjenden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë dhe me mbështetjen e palëkundur të popullit të Kosovës u ngritën për liri, dinjitet dhe për të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar të lirë në atdheun e tyre.

Prandaj çdo përpjekje për ta barazuar luftën tonë çlirimtare me krimet e regjimit gjenocidal të Serbisë, jo vetëm që e minon Serbinë, por dëmton rëndë edhe themelet e paqes afatgjatë në rajonin tonë”, tha ajo.

Osmani shtoi se UÇK-ja është shtylla më e fortë e shtetit dhe nuk mund të zhbëhet nga asnjë përpjekje për rishkrim apo deformim të historisë.

Të Fundit