Vlora është zgjuar këtë mëngjes nga boritë e autobusëve. Këto zhurma u dëgjuan në rrugën transballkanike, ku përfaqësuesit e transportit interurban ndërmorën një protestë paqësore për vendqëndrimin e ri të autobusëve që me vendim të bashkisë është zhvendosur në hyrje të qytetit të Vlorës duke u larguar nga rruga e re ku ishte më parë.
Sipas tyre, hapësira e dedikuar për ta nuk plotëson asnjë kusht për ushtrimin normal të aktivitetit dhe krijon vështirësi për drejtuesit e autobusëve dhe pasagjerët.
“Jam Françesko Jonuzaj, përfaqësues i shoqërisë interurbane. Sot jemi për stacionin që na ka caktuar bashkia te rruga që lidhet me burgun. Nuk jemi dakord, s’kemi bërë asnjë marrëveshje me bashkinë. Këtu s’plotësohet asnjë kusht, qytetari është i rrezikuar, shoferët s’kemi ku të qëndrojmë, nuk ka biletari. Ne kërkojmë një terminal”, tha i riu
Një zotëri thekson se: “Kërkojmë kushtet më minimale. Stacioni që ka caktuar bashkia është më mizerabli, nuk plotëson kushtin më minimal dhe koshat i kanë vendosur sot.”
“Vij nga Elbasani, këtu nuk kam stacion, nuk kam ku të rri, s’kam ku të pres pasagjerin. Kërkoj të bëhet terminali. Këtu është shumë skandal, jemi të rrezikuar në çdo moment”, tha një qytetar.
“E kemi shumë problem këtu, nuk ngarkohet. Të hap bagazhin, del një metër në rrugë dhe bëhet aksidenti. Kush mban përgjegjësi nuk e di. Në gjithë Shqipërinë ka terminale, vetëm Vlora s’ka terminal.”
Ndër të tjera, drejtuesit e autobusëve ngritën edhe shqetësimin se vendi ku ata kanë ushtruar aktivitetin më parë është kthyer tashmë në një vend ku qëndrojnë taksitë dhe furgonat piratë të cilat ju marrin aty klientët.



